E Martë, 3 Nëntor 2026

MOSKË – Putini informon Erdoganin për zhvillimet e luftës në Ukrainë

MOSKË, 20 gusht /ATSH-DPA/- Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij turk Recep Tayyip Erdogan zhvilluan sot një bisedë telefonike rreth zhvillimeve në luftën në Ukrainë.

Kremlini dhe zyra presidenciale në Ankara thanë sot se Putini informoi presidentin turk rreth samitit me presidentin e SHBA-së, Donald Trump javën e kaluar, në Alaskë.

Trump po përpiqet t’i japë fund luftës në Ukrainë, duke kërkuar të organizojë një takim midis Putinit dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Një samit i mundshëm tripalësh me Trump, Putinin dhe Zelensky është gjithashtu në plan.

“Putini, gjithashtu falënderoi Turqinë për mbështetjen e saj gjatë bisedimeve midis Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll”, sipas deklaratës.

Ukraina dhe Rusia kanë negociuar tre herë në Stamboll që nga maji, por pa asnjë rezultat përveç disa shkëmbimeve të të burgosurve.

Këto ishin bisedimet e para të drejtpërdrejta midis palëve ndërluftuese që nga viti 2022, që do të thotë se Turqia mund të merret në konsideratë edhe për takime të mëtejshme.

Gjithashtu, Putini zhvilloi dje një bisede telefonike me Princin e Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman.

Rusia, SHBA-ja dhe Ukraina kanë përdorur gjithashtu Arabinë Saudite si një pikë takimi në muajt e fundit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›