PARIS – Macron paralajmëron për rrezikun e një lufte të përhershme mes ofensivës së re izraelite në Gazë

PARIS, 20 gusht /ATSH-DPA/- Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi sot për rrezikun e një lufte të përhershme – mes operacionit të planifikuar ushtarak të Izraelit në Qytetin e Gazës.
“Ofensiva ushtarake në Gazë – që Izraeli po përgatit – mund të çojë vetëm në një katastrofë për të dy popujt dhe rrezikon të zhytë të gjithë rajonin në një cikël lufte të përhershme”, shkroi Macron në X – pas bisedimeve me Mbretin Abdullah II të Jordanisë dhe presidentin egjiptian, Abdel-Fattah al-Sissi.
Macron përsëriti thirrjen e tij për një armëpushim të përhershëm në Rripin e Gazës.
Ai gjithashtu përmendi lirimin e të gjithë pengjeve, ndihmën humanitare në shkallë të gjerë për njerëzit në Gazë, si dhe çarmatimin e organizatës militante palestineze “Hamas” dhe forcimin e Autoritetit Palestinez – si parakushte për t’i dhënë fund luftës.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka miratuar planin për mobilizimin e 60 000 rezervistëve për të pushtuar Qytetin e Gazës.
Autorizimi u miratua pavarësisht se grupi militant palestinez “Hamas” tha se kishte njoftuar një “përgjigje pozitive” ndaj propozimit të ri për një armëpushim në Rripin e Gazës.
Macron ka rritur kritikat e tij ndaj Izraelit në muajt e fundit për sjelljen e tij në Gazë.
Gjithashtu, ai është zotuar të njohë shtetin palestinez, një veprim i kritikuar ashpër nga qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. //a.i/