XHAKARTA – Wadephul kritikon projektin e Izraelit për vendbanime në Bregun Perëndimor

XHAKARTA, 20 gusht /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul kritikoi sot Izraelin për miratimin e ndërtimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor.
“Plane të tilla, nëse zbatohen, do të ishin në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe do ta bënin të pamundur një zgjidhje me dy shtete”, u tha Wadephul gazetarëve, përpara vizitës së tij në Xhakarta.
Një zgjidhje me dy shtete i referohet një shteti të pavarur palestinez që ekziston në mënyrë paqësore përkrah Izraelit.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka refuzuar një zgjidhje me dy shtete – ashtu si edhe organizata islamiste palestineze “Hamas” në Rripin e Gazës.
“Gjermania favorizon një zgjidhje me dy shtete”, tha Wadephul.
“Kjo është arsyeja pse ne këshillojmë fuqimisht që mos të ndiqet kjo rrugë”, shtoi ai.
Komiteti izraelit i Planifikimi miratoi sot planin për të ndërtuar rreth 3,400 njësi banimi në të ashtuquajturën zona E1 – një shtrirje toke midis Jerusalemit Lindor dhe vendbanimit Maale Adumim.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Gjermane tha se plani do të ndante de facto pjesën veriore të Bregut Perëndimor nga pjesa jugore.
Lëvizshmëria e palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe palestinezëve në Jerusalemin Lindor do të kufizohej ndjeshëm.
Kritikët kanë paralajmëruar prej kohësh kundër këtij veprimi të kontestuar, duke thënë se ai mund të dëmtojë rëndë perspektivat për një shtet të ardhshëm palestinez. //a.i/