TEL AVIV – Organizata izraelite “Peace Now” nis fushatën për krijimin e një shteti palestinez

TEL AIV, 16 shtator /ATSH-DPA/ – Organizata izraelite “Peace Now”, e themeluar prej dekadash, ka nisur një fushatë për krijimin e një shteti palestinez, ndërsa disa vende pritet të njohin shtetësinë e Palestinës në Kombet e Bashkuara, javën e ardhshme.
Fushata, me moton “Kufij, Siguri, Paqe” bën thirrje për një marrëveshje rajonale për përfundimin e luftës, kthimin e pengjeve, normalizimin e marrëdhënieve me shtetet arabe dhe zgjidhjen e konfliktit mbi parimin e dy shteteve për të dy popujt.
“Duhet të përballemi me realitetin. Shteti palestinez do të themelohet. Bota tashmë e njeh atë përkrah Izraelit dhe mbështet një zgjidhje politike, ashtu si edhe shumica e publikut izraelit”, tha “Peace Now”.
Një zëdhënës i organizatës tha se fushata do të zhvillohej si në Izrael, ashtu edhe në Nju Jork, pranë selisë së OKB-së, ku vende si Franca, Kanadaja dhe Belgjika poplanifikojnë të njohin shtetin palestinez në prag të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Peace Now”, e themeluar më 1978 pas përpjekjeve për paqen mes Izraelit dhe Egjiptit, theksoi se shteti palestinez i çmilitarizuar mbetet garancia më e mirë për sigurinë e Izraelit.
Kryeministri Benjamin Netanyahu dikur e mbështeste idenë e “dy shteteve”, por tashmë është distancuar prej saj. /Ad.Ab./