MUZIKË – ”Rolling Stones” publikojnë albumin e tyre të ri “Foreign Tongues”

LONDËR, 5 maj /ATSH-AFP/ – Albumi i ri i ”Rolling Stones”, i titulluar “Foreign Tongues”, do të publikohet më 10 korrik, njoftoi sot grupi legjendar britanik i rock-ut, pak më pak se një muaj pas publikimit të një kënge me edicion të kufizuar.
“Foreign Tongues” do të jetë albumi i 25-të në studio i ”Stones” në Mbretërinë e Bashkuar.
Albumi i tyre i fundit, “Hackney Diamonds”, u publikua në vitin 2023.
Grupi njoftoi publikimin e tij në faqen e tij të internetit, duke postuar një video që tregon 80-vjeçarët Mick Jagger dhe Keith Richards, si dhe 70-vjeçarin Ronnie Wood, duke punuar në një studio regjistrimi.
Ky album do t’i jetë besnik “tingullit të Rolling Stones”, me ndikime nga blues, country dhe rock, zbuloi grupi në faqen e tij të internetit.
Më herët, ai kishte postuar një mesazh duke lajmëruar një “njoftim të ardhshëm” në faqen e internetit të grupit misterioz “The Cockroaches”, i cili nuk është gjë tjetër veçse një pseudonim për ”Rolling Stones”.
Ishte nën këtë identitet, të përdorur tashmë nga grupi për koncerte sekrete në vitet ’70 dhe ’80, që rock-erët anglezë publikuan një këngë me edicion të kufizuar “Rough and Twisted”, në mesin e prillit./ a.jor.