E Diel, 1 Nëntor 2026

Manja: Nuk ka vend për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Ballukut, nuk cenon hetimin

TIRANË, 9 mars /ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, njëherësh Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja prezantoi sot raportin në kuadër të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që kërkon arrestimin e deputetes Belinda Balluku.

Në mbledhjen e mbajtur në Kryesinë e Kuvendit, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, Manja tha se “jemi përpara një realiteti të ri juridik dhe institucional”.

“Deputetja Belinda Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive si anëtare e Këshillit të Ministrave, si pasojë e ndryshimeve në qeveri në përputhje me nenet 95, 96, 98 dhe 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Për pasojë, masa e sigurimit personal e pezullimit nga detyra si anëtare e Këshillit të Ministrave nuk prodhon më asnjë pasojë juridike reale. Po në të njëjtën linjë arsyetimi, edhe narrativa e Prokurorisë së Posaçme, e cila ka ndërtuar kërkesën për aplikimin e masave më të rënda të sigurimit personal, si rreziku i prishjes së provave, arratisjes apo kryerjes së një vepre tjetër penale mbetet thelbësisht hipotetike për sa kohë lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e funksioneve ekzekutive që deputetja në fjalë nuk i ushtron më”, tha Manja.

Manja nënvizoi se “kjo nuk do të thotë që paraqitja e këtij raporti përpara Kuvendit është një procedurë thjesht formale. Ajo përfaqëson një përgjegjësi të drejtpërdrejtë kushtetuese të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe është një shprehje e respektit institucional ndaj drejtësisë, por mbi të gjitha është një detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë që na kanë besuar përfaqësimin e tyre”.

“Aq më tepër në një situatë kur kjo çështje, që duhet të mbetej e drejtësisë, është shndërruar në mënyrë të padrejtë në një debat të mbingarkuar politikisht në sytë e opinionit publik. Në vend të një procesi të qetë dhe të rregullt ligjor, shpesh kemi parë përpjekje për ta zhvendosur këtë çështje në një gjykim publik, në një tribunal mediatik që bie ndesh me standardet e shtetit të së drejtës dhe parimin themelor të prezumimit të pafajësisë”, vijoi ai.

“Për këto arsye është e domosdoshme që ne, si shumicë parlamentare, të flasim qartë: të ndajmë politikën nga drejtësia, zhurmën nga faktet dhe gjykimin publik nga procesi i rregullt ligjor. Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në fakt, në rastin e deputetes Belinda Balluku ndryshon nga kërkesat e tjera që kanë ardhur në Kuvendin e Shqipërisë për marrjen e autorizimit për arrestim apo heqje lirie, kontroll banese apo kontroll personal, sepse nuk është një kërkesë për caktimin e një mase sigurimi për herë të parë”, theksoi Manja.

Deputeti Manja theksoi se Kuvendit, po i kërkohet të zëvendësojë një masë sigurimi personal, efektet e së cilës janë në fuqi ndaj deputetes Belinda Balluku, siç është ndalimi i daljes jashtë shtetit, me një masë sigurimi më të rëndë, atë të arrestit, për një vepër penale për të cilën Prokuroria e Posaçme po heton që nga gushti i vitit 2024.

Sipas Manjës, zëvendësimi i masës mund të kërkohet në dy raste: kur janë rënduar nevojat e sigurimit ose kur personi ndaj të cilit është caktuar një masë sigurimi personal nuk ka respektuar masën e vendosur nga gjykata.

“Rasti i dytë përjashtohet. Deputetja Belinda Balluku, siç provohet nga relacioni i Prokurorisë së Posaçme dhe arsyetimi, faktet dhe provat që i ka bashkangjitur, rezulton se e ka respektuar në mënyrë korrekte masën e sigurimit personal, atë të ndalimit të daljes jashtë shtetit. Në vlerësimin tonë si këshill, mbetet çështja e rëndimit të masave të sigurimit për ato shkaqe që ka listuar në kërkesën e saj Prokuroria e Posaçme, të cilat kanë të bëjnë me shtimin e episodeve të veprës penale, rrezikun e prishjes së provave, rrezikun e ikjes apo kryerjen e një vepre tjetër penale më të rëndë”, pohoi Manja.

Lidhur me faktin nëse kërkesa është bërë nën ndikime politike, Manja tha se nga mbrojtësit e deputetes në Këshillin e Mandateve nuk pati pretendime për një kërkesë të motivuar politikisht në rastin e hetimit ndaj Ballukut.

“Një fakt publik, kallëzimi i parë i bërë në gusht 2024, është bërë nga Lulzim Basha, ish kreu i PD, kallëzimi i dytë është bërë në shtator 2024, nga sekretari i PD, Gazment Bardhi, sot kreu i grupit të PD dhe anëtar në Këshillin e Mandateve. Në 2025, këto dy procedime janë bashkuar në një dhe sot mban një numër unik procedimi mbi bazën e të cilit po zhvillohen hetimet ndaj Ballukut”, tha Manja.

Sipas tij, vlen të theksohet se viti 2024, koha kur u bënë kallëzimet për veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë, që nuk është vepër korruptive, konçidon me një periudhë parazgjedhore dhe një situatë të nxehtë politike.

“Pastaj u zhvilluan zgjedhjet e 11 majit dhe fill pas zgjedhjeve kemi ashpërsim të gjuhës politike në këtë drejtim, çka e ka shoqëruar gjatë gjithë kohës këtë proces. Por ne nuk jemi ndalur në këtë pikë, e respektojmë qëndrimin e mbrojtjes dhe Ballukut, që e konsiderojnë këtë çështje drejtësie dhe vetëm drejtësie”, tha Manja.

Deputeti Manja tha se “është me interes për publikun të theksohet një fakt me rëndësi, në vlerësimin tonë jemi të bazuar strikt në provat që shoqërojnë kërkesën e prokurorisë së posaçme”.

“Nuk kemi bërë asnjë analizë të shqyrtimit gjyqësor të provave. Roli i Kuvendit nuk është formal, por thelbësor. Imuniteti për hetimin dhe ndjekjen penale nuk ekziston pas ndryshimeve kushtetuese në vitin 2012. Deputeti hetohet, ndiqet si çdo shtetas, ndaj tij mund të caktohen masa sigurimi deri tek arresti. Kushtetua ka ruajtur një imunitet procedural të kufizuar për masat që prekin lirinë personale. Për arrestimin kërkohet autorizim nga Kuvendi, nuk është mburojë penale, por mekanizëm balancues”, vijoi ai. “Deputetja ka një masë sigurie penale, të daljes jashtë shteti. SPAK po heton lirisht dhe nuk po pengohet në ushtrimin e kompetencave sa i takon hetimit. Sa i takon kërkesës për zëvendësim mase, kompetenca përfundimtare, i takon Kuvendit pasi merr një raport rekomandues nga Këshilli i Mandateve. Pretendimet se Kuvendi, pengon drejtësinë, nuk kanë bazë ligjore, por janë pretendime politike. Gjykata Kushtetuese nuk dha një vendim themeli”, theksoi Manja.

Sipas Manjës, SPAK në relacion thotë se janë shtuar dhe disa fakte apo episode penale.

“Shtimi i këtyre e shton automatikisht sanksioni e veprës dhe dëmin hipotetik që ka pësuar shteti nga këto procedura. Në vlerësimin tonë si këshill, fakti që çdo zgjerim i hetimit të ishte një rrethanë e re për rëndim të masave atëherë do të binte që çdo hetim kompleks do të përbënte arsye për paraburgim. Ndërkohë që paraburgimi është masa e fundit. Edhe pse janë shtuar rastet vepra mbetet një “shkelje në tendera” nuk ka asnjë vepër të re penale. Pra, ky pretendim nuk qëndron. Paraburgimi është i fundit”, pohoi Manja.

Manja tha se “Kuvendi ushtron një filtër kushtetues dhe ky filtër nuk mund të jetë formal”.

“Ai përbën një mekanizëm thelbësor për ruajtjen e balancës institucionale dhe respektimin e rolit që Kushtetuta i ka dhënë pushtetit legjislativ në raport me pushtetet e tjera. Juridiksioni dhe kompetenca e Kuvendit në rastin konkret bazohen në nenin 73, pika 2, të Kushtetutës, si dhe në nenet 260, 288, 289, 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, të cilat kanë përcaktuar Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin si organin e Kuvendit që shqyrton çdo kërkesë të organit të akuzës sa herë kërkohet dhënia e autorizimit për arrestimin e një deputeti apo zëvendësimin e një mase sigurimi me një tjetër më të rëndë”, tha ai.

Manja shtoi se “neni 73 i Kushtetutës e përcakton qartë se deputeti nuk mund të arrestohet apo t’i hiqet liria në çfarëdo forme pa autorizimin e Kuvendit. Kjo dispozitë kushtetuese vendos një garanci institucionale për ushtrimin e mandatit përfaqësues dhe funksionimin e pavarur të pushtetit legjislativ”.

Sipas Manjës, në këtë linjë është edhe neni 288 i Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit prokuroria, sa herë që kërkon dhënien e autorizimit nga Kuvendi, duhet të paraqesë një relacion të arsyetuar dhe të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën.

“Duke iu referuar këtij kuadri normativ, kompetenca e Kuvendit në shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme është e natyrës procedurale dhe kushtetuese, dhe jo gjyqësore. Kuvendi nuk gjykon fajësinë dhe as themelësinë e provave, pasi ky atribut i përket gjykatës kompetente.

Imuniteti për hetimin dhe ndjekjen penale në Shqipëri nuk ekziston pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2012. Ndaj deputetëve mund të caktohen masa sigurimi personale, nga ndalimi i daljes jashtë shtetit deri tek arresti në burg apo arresti në shtëpi. Për dy rastet e fundit kërkohet një autorizim paraprak nga Kuvendi. Ky mekanizëm nuk duhet të konsiderohet si një mburojë për deputetin, por si një mekanizëm institucional për balancimin e pushteteve”, theksoi Manja.

“Ndaj deputetes Belinda Balluku ka një hetim penal që prej gushtit të vitit 2024. Ndaj saj është vendosur masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit dhe Prokuroria e Posaçme po kryen hetimet lirisht ndaj saj. Megjithatë, sa i takon kërkesës për zëvendësimin e masës së sigurimit, vendimi final i takon Kuvendit pas raportit që do të paraqitet nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin”, cilësoi ai.

Manja tha se “pretendimet se po pengohet drejtësia janë të natyrës politike dhe të pabazuara, për sa kohë që procedura kushtetuese që parashikon shqyrtimin e kërkesës nga Kuvendi është duke u respektuar në mënyrë të plotë”.

“Gjithashtu, është marrë në konsideratë edhe jurisprudenca dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat theksojnë se roli i Kuvendit në këto raste është të ushtrojë kontrollin kushtetues mbi procedurën dhe respektimin e balancës ndërmjet pushteteve, pa ndërhyrë në vlerësimin gjyqësor të provave apo të fajësisë”, vijoi Manja.

“Prandaj sa më lart dhe nga fakti se Balluku nuk ka më funksion ekzekutiv, vlerësojmë se nuk ka vend për dhënien e autorizimit për ndryshimin e masës së sigurisë nga ndalimi daljes jashtë vendit, tek “arresti në shtëpi” apo në “arrest me burg”, tha Manja më tej.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve tha se “ne si anëtarë të mazhorancës i rekomandojmë seancës plenare rrëzimin e kërkesës së SPAK për dhënien e autorizimit për ndryshimin e masës së sigurisë”.

Sipas Manjës, nuk ka domosdoshmëri për një masë të tillë.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›