Masakra e vitit 1943, si u zhdukën dasmorët e Suhadollit
Ishte vjeshta e vitit 1940, një grup burrash nga zona e Suhadollit, u nisën dasmorë për në një fshat të Kosovës. U nisën me gaz edhe hare për gëzim dhe nuk u kthyen më kurrë në shtëpitë e tyre. U zhdukën. Familjet e tyre i kërkuan për shumë ditë në gjithë krahinën, por nuk gjetën asnjë gjurmë të tyren. Kërkuan me dëshpërim ndihmën e shtetit të atëhershëm, por përsëri nuk u gjet asnjë gjurmë nga malësorët e humbur. Në atë kohë në Prishtinë kishte edhe shumë nëpunës shqiptarë (juristë, arsimtar, e të tjerë), të cilët u impenjuan seriozisht në zbardhjen e kësaj ngjarjeje të trishtueshme, që futi në zi shumë familje të Suhadollit, por rezultat nuk patën. Familjarët e të zhdukurve vajtuan dhe mbajtën gjatë zi në shtëpitë e tyre, brenga e tyre më e madhe ishte errësira e plotë që mbulonte këtë ndodhi. Të dashurit e tyre ishin zhdukur si të ishin përpirë nga një përbindësh i padukshëm. Kaluan vite, një grup juristët të nxitur edhe nga familjarët e pangushëlluar nuk hoqën dorë asnjëherë nga çështja e pambyllur e zhdukjes së malësorëve. Përfundimisht, të gjitha dyshimet ishin përqendruar mbi itinerarin që dasmorët duhej të ndiqnin për të mbërritur në vendin e dasmës. Asokohe, rruga kalonte buzë një are ku ndodhej edhe një pus i famshëm për ujët e tij të ftohtë e të pastër si qelibar, dhe që shërbente si vend pushimi dhe freskimi për gjithë udhëtarët e lodhur që rruga u binte në ato anë. Me kalimin e kohës, fusha i kishte shtrirë kufijtë e saj duke gllabëruar edhe rrugën e vjetër të këmbësorëve dhe duke zhdukur çuditërisht edhe gjurmët e ekzistencës së pusit të famshëm. Ishte koha pas të korrave, kur një grup juristësh shqiptarë nga Shqipëria këmbëngulën që të rifillonin hetimet për ngjarjen e ndodhur disa vite më parë në krahinën e Suhadollit. Ara e dyshuar sapo ishte korrur. Familjarët që e kishin denoncuar ngjarjen u vunë edhe ata në kërkim bashkë me hetuesit e ngjarjes duke punuar ditë e natë për gjetjen e gjurmëve të krimit. Duhej të gjendej patjetër pusi i zhdukur pa gjurmë, të gjithë mendonin se ai ishte edhe pika më e dyshimtë. Dhe pas disa ditë kërkimesh intensive, pikërisht aty u gjetën të gjitha kufomat e malësorëve të humbur të hedhur të gjallë nga elemente kriminelë serb. Ishte viti 1943. Në shtëpitë e malësorëve të Suhadollit u rihap edhe njëherë ceremonia mortore dhe eshtrat e malësorëve, më në fund u prehën në tokën e tyre dhe iu bënë nderimet me zakonet e vendit, ashtu si e meritonin ata bijë të pafajshëm të Kosovës. Kjo ngjarje nuk përshkruhet për hakmarrje, por për t‘u treguar dhe kujtuar me respekt malësorët e zhdukur pa asnjë faj, që i përkasin numrit të madh të viktimave të pafajshme që pikërisht serbët kanë shkaktuar. Kjo ngjarje përshkruhet për të përforcuar pyetjen e madhe të Uilliam Uolkerit: "Si mund të jetojnë kosovarët nën vartësinë serbe"?