E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehet Gensher, gjermani që hapi portën e Perëndimit

Rikthehet në Shqipëri pas 15 vjetësh qeveritari i parë perëndimor që firmosi një marrëveshje dypalëshe me qeverinë komuniste, pak para rrëzimit të sistemit. Bëhet fjalë për një nga politikanët më të njohur gjermanë dhe një nga figurat botërore të diplomacisë, Hans Ditrih Gensher. Ish-kreu i liberalëve gjermanë, i cili ndodhej në qeverinë e Helmut Kohlit me detyrën e zv/kancelarit dhe të shefit të diplomacisë shqiptare, firmosi në vitin 1988 me qeverinë e Adil Çarçanit marrëveshjen e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Gjermanisë (atëherë Perëndimore) dhe Republikës së Shqipërisë, si dhe pranimin e disa ndihmave gjermane për vendin tonë. Hans Ditrih Gensher, emri i të cilit është vënë edhe në një shesh të një qyteti të Shqipërisë, u kthye dje në Tiranë, jo si një politikan aktiv, por si një lobist ekonomik. Ish-ministri i Jashtëm gjerman u prit dje nga vetë kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, i cili u takua me mikun e vjetër në cilësinë e anëtarit të bordit të projektit TAP për ndërtimin e një gazsjellësi që kalon nga Shqipëria. Zyra e shtypit pranë Kryeministrisë bëri të ditur se Kryeministri Berisha i shprehu zotit Gensher, ish-ministër i Jashtëm i Gjermanisë në vitet 1974-1992, mirënjohjen për kontributin dhe përkrahjen e tij për zhvillimin e demokracisë dhe vlerave të saj në vendin tonë, duke e konsideruar atë një mik të madh të Shqipërisë e shqiptarëve. Kryeministri Berisha dhe Gensher kujtuan së bashku përpjekjet dhe mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësimin e Shqipërisë në OSBE, si dhe vizitën e parë të tij në Shqipëri, në detyrën e ministrit të Jashtëm. Gensher u shpreh i impresionuar për progresin që vendi ynë ka bërë. Ai theksoi se "kësaj radhe ndodhej në Shqipëri për të dhënë mbështetjen e tij për të çuar përpara një projekt strategjik për Shqipërinë dhe zhvillimin e saj ekonomik". Përfaqësuesit e projektit TAP prezantuan zhvillimet e reja dhe të dhënat teknike në kuadër të këtij projekti. Zoti Gensher shprehu mbështetjen e tij për realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për Shqipërinë. Kryeministri Berisha falënderoi ngrohtësisht zotin Gensher për këtë angazhim të tij dhe e siguroi atë dhe përfaqësuesit e projektit se "qeveria shqiptare do të punojë me këmbëngulje për mundësitë dhe suksesin e këtij projekti". Kohët e fundit shumë prej politikanëve të njohur në vendin tonë në vitet e kaluara, po rikthehen në cilësinë e përfaqësuesve të kompanive të mëdha, të cilat paraqesin interesa për të investuar në vendin tonë. Ish-ministri i Jashtëm gjerman, Hans Ditrih Gensher, është një nga pionierët e zbutjes së Luftës së Ftohtë dhe bashkë me ish-kancelarin Helmut Kohl, përfaqëson brezin e politikanëve që patën kurajën të inicionin dhe të organizonin Murin e Berlinit, simbolin e ndarjes së botës në dy blloqe. Ndërkaq, Gensher është një nga përkrahësit e çështjes shqiptare dhe ka qenë një nga iniciatorët e shkatërrimit të ish-Jugosllavisë, duke ndikuar në njohjen e pavarësisë së Kroacisë, Sllovenisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Berisha

Ish-ministri i Jashtëm gjerman, u prit dje nga vetë kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, i cili u takua me mikun e vjetër në cilësinë e anëtarit të bordit të projektit TAP për ndërtimin e një gazsjellësi që kalon nga Shqipëria

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›