Mazniku: Reforma Administrativo-Territoriale gati brenda korrikut

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbjan Mazniku, deklaroi sot se procesi për hartimin e Reformës Territoriale do të përfundojë deri në korrik të vitit 2026.
Mazniku theksoi se kjo reformë është një nga prioritetet kryesore të legjislaturës dhe do të përfshijë ndryshime të rëndësishme në tre akte ligjore, ligjin “Për ndarjen territoriale”, ligjin “Për vetëqeverisjen vendore” dhe ligjin “Për financimin e pushtetit vendor”.
”Korriku shënon periudhën kur pritet të përfundojë reforma, veçanërisht ligji “Për ndarjen territoriale”, tha ai.
Ky proces, sipas tij, është ngushtë i lidhur me datën e zgjedhjeve të vitit 2027 dhe kërkon që reforma të mbyllet rreth një vit përpara këtyre zgjedhjeve, në mënyrë që në 2027 të mund të aplikohet sistemi i ri.
Mazniku theksoi se, për të arritur këtë qëllim, duhet që deri në muajin qershor të 2026-ës të mbyllen të gjitha aktet dhe të kalojnë në Kuvend për miratim.
Ai sqaroi se midis muajve shkurt dhe qershor 2026 do të zhvillohen dy raunde të rëndësishme diskutimesh.
Raundi i parë i diskutimeve do të fokusohet në një dokument të quajtur “Green Paper”, ku do të identifikohen sfidat dhe problemet që kërkojnë zgjidhje përmes reformës.
Sipas Maznikut, ky dokument do të jetë baza për konsultime dhe debate të mëtejshme me aktorët kryesorë të territorit.
Ndërsa raundi i dytë i konsultimeve, theksoi ai, do të përfshijë një periudhë më të gjerë konsultimesh në të gjithë qarqet dhe bashkitë e Shqipërisë.
Pas këtij raundi, do të prodhohet një dokument tjetër, i quajtur “White Paper”, që do të mbështesë ndërtimin e politikave të reja dhe aktet ligjore të nevojshme për implementimin e reformës.
Mazniku theksoi se ky proces do të jetë gjithëpërfshirës dhe kërkon angazhimin e të gjithë aktorëve, përfshirë deputetët e qarqeve përkatëse dhe komunitetin.
/r.e/a.f/