E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhafaj: Ndryshimet për përforcimin e kontrollit parlamentar në fazën përfundimtare

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Kryetari i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Fatmir Xhafaj deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste se aktiviteti i komisionit është strukturuar mbi bazën e vizionit të prezantuar nga kryetari i Partisë Socialiste dhe kryeministri Edi Rama në Asamblenë Kombëtare, duke u orientuar njëkohësisht nga standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira europiane.

Xhafaj theksoi se në ndërtimin e modelit të punës janë marrë në konsideratë përvojat e parlamenteve europiane, përfshirë Parlamentin Europian dhe modelet e Bundestagut gjerman, si edhe praktikat e Austrisë, Holandës, Francës, Italisë, Spanjës, Kroacisë dhe vendeve të tjera që disponojnë komisione të ngjashme.

Sipas tij, gjatë sesionit parlamentar të fundit, Komisioni ka përballuar një volum të konsiderueshëm pune, duke zhvilluar gjithsej 37 mbledhje, nga të cilat 24 kanë qenë të përbashkëta. Janë zhvilluar 44 seanca dëgjimore, 18 në procesin legjislativ dhe 26 seanca dëgjimore në kuadër të kontrollit dhe mbikëqyrjes parlamentare, si 6 mbledhje komisioni edhe 18 seanca dëgjimore të lidhura me projektbuxhetin e shtetit.

“Ky sesion ka qenë i dominuar nga angazhimi për seancat dëgjimore me institucionet e pavarura dhe për shqyrtimin e buxhetit të shtetit. Ne kemi arritur të gjejmë këndin tonë specifik si komision”, theksoi Xhafaj, “duke qenë plotësues me komisionet e tjera dhe duke shmangur mbivendosjet”.

Ai vuri në dukje se të gjithë anëtarët e komisionit, përveç tij, janë deputetë të rinj në këtë legjislaturë, çka e konsideroi një element pozitiv, por që ka kërkuar edhe një angazhim të shtuar për përshtatjen me objektin specifik të komisionit.

Xhafaj vlerësoi seriozitetin dhe angazhimin e deputetëve, duke theksuar se ngarkesa e punës është shpërndarë në mënyrë të balancuar dhe se në asnjë rast komisioni nuk është përballur me probleme kuorumi.

Gjatë fjalës së tij, Xhafaj bëri të ditur se komisioni ka përmbyllur dokumentin për profilin e tij institucional në tre komponentët e fushës së përgjegjësisë, si dhe një draft të ndryshimeve të domosdoshme në Rregulloren e Kuvendit.

Paralelisht, po përfundojnë edhe ndryshimet në disa akte të Kuvendit, përfshirë manualin e mbikëqyrjes dhe kontrollit parlamentar dhe vendimin për mekanizmat e monitorimit sistemik të njohjes dhe zbatimit të rekomandimeve.

Për sesionin e ri parlamentar, komisioni ka përcaktuar pesë fusha kryesore të mbikëqyrjes: ekonominë dhe financat; shërbimet publike; sigurinë, rendin dhe qeverisjen; drejtësinë dhe shtetin e së drejtës; si dhe institucionet e pavarura. Për secilën fushë do të fokusohen 2–3 tematika prioritare.

Në lidhje me bashkëpunimin ndërinstitucional, Xhafaj sqaroi se drafti paraprak është përqendruar në tri fusha: integrimin europian, drejtësinë dhe institucionet e pavarura, duke u orientuar nga tematika me interes të lartë publik, angazhimet e programit qeverisës, buxheti i shtetit për vitin 2026 dhe rekomandimet e Bashkimit Europian.

“Ky është një draft paraprak dhe jemi të hapur për kontribute që e pasurojnë atë, si dhe për koordinim të ngushtë me komisionet e tjera, ministritë dhe qeverinë”, tha Xhafaj.

Ai theksoi gjithashtu synimin për të hapur një faqe të re në trajtimin e nismave qytetare dhe peticioneve, me qëllim që Kuvendi të shndërrohet në një hapësirë më miqësore për grupet e interesit dhe komunitetet.

Po ashtu, përmes mekanizmit të “Trilogut”, komisioni synon të forcojë dialogun ndërinstitucional mes Parlamentit, Qeverisë, sistemit të drejtësisë, institucioneve të pavarura dhe pushtetit vendor, duke ndjekur modele të konsoliduara europiane.

Në përfundim, Xhafaj theksoi se, objektivi kryesor është forcimi i funksionit kushtetues të Kuvendit në ushtrimin e mbikëqyrjes parlamentare, përmes treguesve konkretë dhe të matshëm, në përputhje me vërejtjet e Bashkimit Europian në raportet e progresit.

“Synojmë të dëshmojmë përgjegjshmërinë e kësaj mazhorance dhe aftësinë e saj për vetëkontroll, transparencë dhe llogaridhënie përballë qytetarëve”, përfundoi ai.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›