E Diel, 1 Nëntor 2026

“Më thonë Edi Rama i ri”, njihuni me diplomatin 20-vjeçar Jonas Kepi që ka arritur deri në OKB

Jonas Kepi është i riu shqiptar i cili mori pjesë në sesionin e 60-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut dhe në sesionin e 76-të të UNHCR për refugjatët, që u mbajtën më 6-10 tetor 2025 në Kombet e Bashkuara në Gjenevë.

Shihni Postimin

Në një intervistë për emisionin “Në radio” të Andri Xhahut, 20-vjeçari tregon më shumë për këtë përvojë.

“Pata nderin të jem pjesë e delegacionit diplomatik shqiptar në OKB. Unë isha afër misionit tonë si stazhier një javor për të ndihmuar rreth observimeve dhe dokumentacioneve. Falenderoj znj. Vasilika Hysi, që është ambasadore atje, e cila është duke bërë një punë shumë të mirë”.

Fokusi i këtyre dy sesioneve ishte te të drejtat e njeriut dhe te refugjatët.

“Këto dy sesione u drejtuan nga Filippo Grandi, komisioneri i lartë që tani po largohet. Në sesionin e të Drejtave të Njeriut, Shqipëria ka bërë të gjitha hapat për të mbrojtur çdo rezolutë”.

Përveç angazhimeve me Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë në OKB, i riu foli edhe për angazhimet në rrafshin personal.

“Pata takime me drejtorë dhe sekretarë të përgjithshëm të godinave të ndryshme të Kombeve të Bashkuara, sepse atje ka 59 zyra për refugjatët, për të drejtat e njeriut, për luftën ndaj krimit, etj.”

Më tej ai shton se nga kjo përvojë ka mësuar shumë.

“Kultura që të japin të huajt nuk e merr në Shqipëri. Kultura më e bukur është të presësh. Çdo gjë ka një rregull dhe çdo gjë është strikte. Në atë sallë kupton realitetin, aty bëhen të gjitha politikat”!

Për Kepin, kjo është një përvojë të cilën ai e konsideron madhore.

“Kombet e Bashkuara është niveli më i lartë i diplomacisë dhe niveli më i lartë ku mund të shkojë një i ri. Është një ndjesi ndryshe kur je më i riu në atë sallë.”

Se si ka mbërritur Jonas Kepi deri këtu, ai thotë se është meritë e vullnetit të tij.

“Po nuk pate vullnet nuk do arrish kurrë. Nëse punën që bën nuk e dashuron, është e kotë. Me një vullnet të mirë, me synimin që ke për të ardhmen, të mundohesh fort ditë për ditë, të përdorësh çdo kontakt që ke, të dërgosh email-e nëse mund të jesh pjesë a të merresh me diçka, të tregosh se kush je e te komunikosh. Një i ri mund të thotë që është e pabëshme. Unë them që bëhet. Shumë njerëzve u është shtruar tapeti i kuq. Për fat të keq mua askush nuk ma ka shtruar këtë tapet. M’u desh të vendosja kurorën vetë si Napoleoni për të qenë ky që jam”.

I pyetur nëse vendi ynë ofron mundësi dhe sa janë të rinjtë të gatshëm të përfitojnë prej tyre, Jonas Kepi shprehet se mundësi ka por varet sa të vullnetshëm janë të rinjtë.

“Ne jemi një brez që i duam gjërat gati dhe të thjeshta. Nuk duam të luftojmë dhe të marrim diçka përsipër. Unë kam punuar me OSBE-ODIHR-in në zgjedhjet e 11 majit si këshilltar afër ambasadorit dhe asistent ndaj operacioneve. Shefi ishte strikt dhe gazmor e thoshte: ‘Në fund të ditës nuk më intereson si do e bëni punën dhe çfarë mendoni, por punën e dua të mbaruar”.

Kepi e ka dhe një sugjerim për politikën e kryeministrit Edi Rama.

“Rama ka nevojë për shtysë. Është gjë e mirë ta bësh Tiranën si Nju Jorku por duhet të kuptosh më shumë mentalitetin e njerëzve. Ai është gjeni në marketing, në politikat që bën. Çdo herë që iki jashtë më thërrasin Junior Edi Rama (Edi Rama i ri) sepse jam i gjatë si ai, dhe thonë që keni një super lider”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›