E Diel, 1 Nëntor 2026

Medvedev, fushatë elektorale në Serbi

Zv/kryeministri i Rusisë, Dimitri Medvedev, u tha udhëheqësve serbë se nuk do të ketë ndryshim në mbështetjen e vendit të tij për sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën. Medvedev dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ndodhen në Beograd për bisedime me Presidentin serb, Boris Tadiç, dhe me Kryeministrin Vojisllav Koshtunica. Medvedev tha se qëndrimi i Moskës është që Serbia si një shtet i vetëm gëzon juridiksion mbi të gjithë territorin e saj. Ai tha gjithashtu se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës është një veprim që bie ndesh me ligjin ndërkombëtar dhe minon sovranitetin. Medvedev pritet që të fitojë zgjedhjet presidenciale të dielën e ardhshme, duke zëvendësuar kështu Presidentin aktual, Vladimir Putin. Rusia dhe Serbia nënshkruan gjithashtu një marrëveshje gazi prej 1,5 miliardë dollarësh, sipas së cilës gazi i Rusisë shkon në Evropën Perëndimore nëpërmjet një tubacion të ri, që kalon nga Deti i Zi në Serbi. Zëvendëskryeministri rus dhe ministri i Jashtëm Lavrov janë zyrtarët më të lartë të huaj që vizitojnë Serbinë që kur protestuesit në Beograd dogjën një pjesë të ambasadës amerikane javën e kaluar. Zv/kryeministri rus, Dimitrij Medvedev, dhe Kryeministri i Serbisë, Voisllav Koshtunica, kanë paralajmëruar në Beograd se Rusia dhe Serbia do të vazhdojnë politikën e përbashkët ndaj Kosovës. "Jemi akorduar se do t‘i koordinojmë përpjekjet për të dalë nga kjo situatë e komplikuar dhe do të zgjidhim çështjen e Kosovës", tha Medvedev pas bisedës me Koshtunicën dhe nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e gazsjellësit për transit të gazit nga Rusia përmes Serbisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›