Çmimet e reja, variantet për të kursyer energjinë
Shqiptarët do të paguajnë më tepër tarifa për energjinë elektrike të konsumuar, duke nisur nga marsi i këtij viti e duke iu referuar vendimit të ERE. Duke marrë shkas nga kjo, instituti "Co-Plan" publikoi për herë të parë variantet e mundshme për të kursyer energjinë elektrike, duke marrë shkas nga një studim i bërë në rajonin e Tiranës. Në raport dalin në thelb tri variante, që sipas drejtuesit të "Co-Plan"-it, Konalsi Gjoka, janë të realizueshme. Kështu, për një familje që jeton në një apartament të një ndërtese kolektive të ndërtuar para vitit ‘90, investimi i kryer për të termoizoluar fasadën e jashtme e vetëshlyen veten pas 6 vitesh dhe përfitimi mesatar vjetor do të ishte nga 3800 deri në 9600 lekë. Kostoja për metër katror llogaritet rreth 2500 lekë. Tjetër variant për të kursyer energjinë elektrike është veprimi për t‘i kthyer dritaret me dopio xham dhe me grila mbrojtëse. Shpenzimet mund të shlyen pas 6.5 vitesh dhe realizojnë një normë fitimi për familjen në rendin e 24000 lekëve në vit. Alternativa tjetër është disi më e thjeshtë për t‘u zbatuar dhe lidhet me blerjen e llambave eficente. Zëvendësimi i 5 deri në 10 llambave të thjeshta me llamba eficente, përfitimi në vit përllogaritet nga 30000 deri në 60000 lekë. Sektori i banesave ka peshën kryesore në konsumin e energjisë elektrike me 54 për qind në rang vendi, kësisoj këto masa të stimuluara me mekanizma dhe iniciativat e duhura do të jepnin impaktin e tyre pozitiv edhe në rang vendi. Nga studimi i kryer del se si pasojë e gjendjes së amortizuar të fasadave të stokut ekzistues të ndërtesave prej 50 për qind, të ndërtuara deri në vitet ‘90 në rajonin e Tiranës, humbet çdo vit 280 Gwh energji elektrike. Ndërsa si rrjedhojë e zëvendësimit të llambave të thjeshta me ato eficente, energjia e kursyer është mesatarisht 180 Gwh në vit. Kështu, në total kjo sasi energjie, e cila do të kursehet vetëm në qoftë se merren këto masa, është e barabartë me energjinë që do të prodhonte për një vit një termocentral me fuqi 50 MW.
Ligji
Në vitin 2002, qeveria miratoi vendimin që detyronte subjektet të ndërtonin objekte me termoizolim, por që në fakt nuk u zbatua gjerësisht. Ky dështim u përmend nga të pranishmit në takimin e djeshëm, duke i kërkuar Ministrisë së Punëve Publike dhe Bashkisë së Tiranës të merrnin masa për zbatimin e këtij ligji ose të forconin masat ndëshkuese për subjektet që nuk e marrin parasysh atë. Për Bashkinë e Tiranës u kërkuar që të vendosej si kriter kyç ndërtimi i banesave me termoizolim në procesin e miratimit të lejes së ndërtimit, pasi dhe kostoja për të bërë një gjë të tillë nuk rezulton e lartë, vetëm 2500 për m2.
ERE: Paguani energjinë edhe me fatura aforfe
Nepravishta: Çdo thirrje për të bojkotuar faturat është e rrezikshme për vendin
Pas Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, edhe Enti Rregullator i Energjisë u ka bërë thirrje konsumatorëve që të vazhdojnë shlyerjen e faturave të energjisë. Kryetari i ERE-s, Bujar Nepravishta, sqaroi qytetarët se nëse kanë dyshime për ligjshmërinë e faturave aforfe, të ndjekin rrugën ligjore për t‘i vërtetuar ato. "ERE është i vetmi autoritet që ka të drejtën ekskluzive për të vendosur shtyrjen e afatit të faturimit aforfe për energjinë elektrike", tha Nepravishta. Sipas tij, "bordi i komisionerëve të ERE-s, pasi mori në shqyrtim kërkesën e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, të bërë në datën 15 janar 2008, për zgjatjen e kohës së faturimit aforfe për abonentët familjarë pa matësa, vendosi që kohëzgjatja e faturimit aforfe për abonentët familjarë pa matësa të jetë deri në datën 31.12.2008 dhe sasia e energjisë elektrike të mbetet e pandryshuar. "Çdo kundërshtim ndaj këtij vendimi mund të paraqitet vetëm në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë", vuri në dukje Nepravishta.
Akuzat
Partia Socialiste, përmes nënkryetarit të grupit parlamentar, pretendon se faturat aforfe të muajit janar janë të jashtëligjshme, pasi Enti e ka marrë vendimin për shtyrjen e afatit të tyre vetëm në datën 28 janar. Por ERE thotë se ka vepruar në bazë të ligjit dhe i konsideron thirrjet e opozitës si të rrezikshme për vendin. Në përfundim, kryetari i ERE-s, Bujar Nepravishta, vlerësoi se "çdo thirrje drejtuar opinionit publik, për të mos e paguar detyrimin e ligjshëm, që është rrjedhojë e faturimit aforfe, është e kundërligjshme dhe nuk i shërben stabilitetit dhe prosperitetit të vendit. E vetmja rrugë e ligjshme është t‘i drejtohesh gjykatës, sepse vetëm ajo e ka autoritetin që të marrë vendim, për vendimet që merr bordi i komisionerëve të ERE-s". ERE vendosi që të zgjasë faturimin e energjisë aforfe deri në fund të këtij viti, pasi KESH nuk dështoi në dy tenderat për blerjen e matësve. Sipas të dhënave zyrtare, konsumatorët që e paguajnë energjinë aforfe përbëjnë gati 10 për qind të totalit.