E Diel, 1 Nëntor 2026

ERT-Olldashi, përplasje në Kuvend

Çështja e shkarkimit të kryetarit të ERT-së dhe tre anëtarëve ka kaluar për shqyrtim në Komisionin Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese. I pranishëm ishte ministri i Telekomunikacionit, Sokol Olldashi dhe kreu i ERT-së, Hydajet Kopani, të cilët paraqitën pretendimet e tyre rreth vendimit të qeverisë për ndryshimin e drejtuesve të Entit. Ministri tha se propozimi për shkarkimin e kryetarit dhe tre anëtarëve të Këshillit Drejtues të ERT-së, është bërë me motivacionin për mosushtrim përgjegjësie të ngarkuar me ligj, pa ndonjë shkak të arsyeshëm. "Iniciativa e mësipërme vjen si pasojë e neglizhencës së rëndë të Këshillit Drejtues të ERT-së dhe mungesës së seriozitetit në ushtrimin e detyrës. Ministria ka përgjegjësinë ligjore të reagojë ndaj çdo fenomeni negativ, që ndikon pa të drejtë në buxhetin e konsumatorit shqiptar të telefonisë celulare", shtoi Olldashi. Por Kopani tha se ERT ka ndërhyrë në mënyrë të drejtpërdrejtë në reduktimin e tarifave të terminimit në rrjetet celulare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›