Nënkomision për reformën në drejtësi
Kuvendi ka miratuar dje ngritjen e nënkomisionit për reformën në drejtësi. Vlen të theksohet fakti se politika, në një kohë rekord, e karakterizuar nga një frymë bashkëpunimi, ka miratuar në Komisionin e Ligjeve paketën për "riorganizimin e pushtetit gjyqësor". Reforma në drejtësi mund të cilësohet pa frikë e nisur tashmë, megjithatë në sistemin e drejtësisë mbetet ende shumë për t‘u bërë. Për të vijuar në punën e asaj që nisën partitë politike në Komisionin e Ligjeve, Kuvendi ka miratuar dje me shumicën e votave që të ngrejë nënkomisionin i cili do të vazhdojë pikat e lëna pezull në kuadër të reformës në drejtësi. Vendimi për ngritjen e tij është marrë dje, dhe pas pak ditësh do të bëhet realitet edhe funksionimi i tij. Kërkesa për ngritjen e këtij nënkomisioni ka ardhur fillimisht nga Partia Demokratike, megjithatë nuk ka pasur kundërshtime nga Partia Socialiste.