E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe OMONIA: Tani "Një minoritar, një votë"

Grupi reformator OMONIA, organizata e minoritetit grek në Shqipëri, ka shënuar arritjen e parë të rëndësishme në përballje me ata që në numër përbëjnë shumicën. Ziso Lluci, një prej figurave qendrore të grupit reformues, thotë se në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm që u bë në Sarandë ditën e diel, ka fituar teza e zgjedhjes së kryetarëve me votim të drejtpërdrejtë nga anëtarësia e organizatës dhe jo sipas traditës dhe praktikës së deritanishme, që votonin përfaqësitë. Kjo, sipas Llucit, është pranuar me shumë vështirësi dhe në debat të ashpër me ata që ende mbajnë pozicione drejtuese në Këshillin e Përgjithshëm, për të cilët ai thotë se herë-herë nuk u jepnin as të drejtën e fjalës "të identifikuarve" si reformatorë. Në prani të nënkryetarit Vasil Bollano dhe sekretarit të përgjithshëm, Kosta Barka, mes shumë përplasjesh, në Sarandë, u vendos që brenda 6-mujorit të parë të zhvillohet konferenca statutore. Ndryshimet e pranuara, konferenca do t‘i pasqyrojë në statut dhe mbi bazën e ndryshimeve statutore e programore, brenda 2008-ës do të zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme. "Për ne është arritje që ndonëse në vija të përgjithshme u pranua programi i grupit reformator", - shprehet Lluci. Duke folur konkretisht për disa drejtime, ai veçon zgjedhjen e kryetarëve dhe organeve drejtuese të OMONIA-s nga populli, që do të thotë të zbatohet parimi "një minoritar, një votë". Një pikë tjetër shumë e debatuar ishte nëse OMONIA do të jetë apo jo pjesë e Kuvendit të ardhshëm shqiptar, ashtu si në fillimet e pluralizmit. Ndonëse reformatorët kanë qenë të avancuar edhe në këtë pikë, "divorci" i kërkuar prej tyre me PBDNJ dhe dalja si subjekt elektoral më vete, ka pësuar rrjedhje, me arsyetimin se PBDNJ është mjeti për të realizuar synimet shoqërore, kulturore e politike të minoritetit, por jo qëllim në vetvete. Por edhe ato që u pranuan në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, Lluci i sheh si arritje të brishta, kur shprehet se "kam frikë se mund të rrëzohen nëse arrin të manipulohet Konferenca e 8 marsit". Ai mendon kështu, pasi vlerëson se nga pjesëmarrja në këtë konferencë janë shmangur shumë njerëz që mendojnë ndryshe nga ata që drejtojnë aktualisht OMONIA-n dhe se delegatët e saj janë ende të panjohur. Nëse konferenca do të degradojë, paralajmëron Lluci, duke kompromentuar parimin e zgjedhjes drejtpërdrejt nga populli, "zhvillimet do të jenë të paparashikueshme, pasi, sipas tij, grupimi intelektual brenda dhe jashtë OMONIA-s në Sarandë, Gjirokastër e Tiranë, është i fuqishëm dhe pranë njerëzve që përkrahin ndryshimin.

Një nga befasitë e mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm në Sarandë, thotë Lluci, është se atë e drejtoi ish-kryetari i dorëhequr, Jani Jani, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Duke mos e anashkaluar këtë çast, mbledhja vendosi që kryetari të jetë i përkohshëm, që do të dalë nga Konferenca e shtatë më 8 Mars, që do të mbahet po në Sarandë, dhe ai të jetë konsensual.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›