E Diel, 1 Nëntor 2026

Meningjiti kërcënon edhe Jugun

Mikrobi i rrezikshëm vdekjeprurës i meningokokut është shfaqur në formën e vet më të rrezikshme në jug të vendit, duke prekur me sëmundjen e meningjitit një fëmijë në moshën 3-vjeçare nga qyteti i Delvinës. Sipas analizave dhe konsultave mjekësore, bëhet fjalë
për një nga shkallët më të rënda të prekjes prej kësaj sëmundjeje ngjitëse. Mjekët e spitalit rajonal të Gjirokastrës, "Omer Nishani", deri në orën 14.30 minuta të pasdites së djeshme nuk japin shumë shpresa për jetën, edhe pas kryerjes se analiziës së palës së shtyllës kurrizore, që vërtetojnë se vajza është prekur nga kjo sëmundje. Fillimisht pacientja 3-vjeçare Eljana Alinani, vajza e vetme e çiftit Teuta dhe Mehmet Alinani, banues në qytetin e Delvinës, ka shfaqur disa shenja të ngjashme me ato të virozave të stinës dhe për këtë gjendje është transportuar fillimisht në spitalin e Sarandës.
"Mbrëmjen e së shtunës ajo ishte çuar në spitalin e qytetit të Sarandës, sepse kishte shfaqur probleme shëndetësore dhe pasi është mbajtur përgjatë gjithë natës në këtë spital, nisur nga shenjat klinike dhe përkeqësimi është sjellë me urgjencë në Gjirokastër, në pamundësi për ta dërguar drejt Tiranës", tha për "Shqip" drejtori i Spitalit Rajonal të Gjirokastrës, Niko Zhulla. Sipas mjekëve të Sarandës, të cilët e kanë shoqëruar pacienten në Gjirokastër, ajo kishte pasur shenja të temperaturës së lartë, të vjella, si edhe shfaqje të njollave të ndryshme në lëkurë. Megjithëse të gjitha shenjat klinike tregonin qartë se fëmija
ishte prekur nga sëmundja e meningjitit, mjekët kanë kryer gjithashtu të gjitha analizat laboratorike, që kanë konfirmuar gjithçka. 3-vjeçarja ishte prekur nga meningokoksemia, faza më e rëndë e sëmundjes së meningjitit. Që prej mbërritjes së saj në spitalin rajonal "Omer Nishani", vogëlushja është vendosur në karantinë në mjediset e repartit infektiv, ku po u nënshtrohet të gjitha mjekimeve të specializuara mjekësore, ndërsa gjendja e saj shëndetësore është e rëndë. Po kështu, në terapi profilaktike janë vendosur edhe prindërit e saj.
Sipas mjekëve të spitalit rajonal "Omer Nishani" në Gjirokastër, gjendja e vogëlushes është e rëndë, pasi sëmundja është në fazën e fundit të zhvillimit të saj, prandaj edhe nuk japin siguri për jetën. "Vogëlushja është sjellë mesditën e djeshme nga spitali i Sarandës, ku kishte qëndruar për 12 orë me radhë. Në pamundësi për ta dërguar drejt Tiranës, vajza është sjellë këtu, ku u është nënshtruar të gjitha ekzaminimeve laboratorike, të cilat konfirmuan dyshimet tona, se është prekur nga meningokoksemia.
Aktualisht, gjendja e saj është e rëndë dhe është izoluar në karantinë, ku veç mjekëve dhe infermierëve nuk ka kontakte me askënd. Vajza po u nënshtrohet mjekimeve të specializuara dhe do ta shohim në vijim gjendjen e saj. Edhe prindërit e saj janë duke marrë mjekime për profilaksi", është shprehur Adrian Misha, mjek infeksionist, i cili është duke ndjekur rastin. Ndërkaq, ende nuk dihet se cila ka qenë vatra e parë e përhapjes së infeksionit, por dyshohet të ketë ardhur nga Greqia. "Nuk kam informacion për vatrën e infeksionit, por prindërit e vajzës thonë që edhe një fëmijë tjetër i ardhur për pushime nga Greqia ka pasur të njëjtat shenja", është shprehur mjeku infeksionist Dritan Misha. E ndodhur jashtë spitalit, për shkak të karantinës së menjëhershme, në rrethana dëshpërimi dhe dhimbjeje gjyshja e vogëlushes 3-vjeçare Eljana Alinani, 60-vjeçarja Gjylistane Rokaj, shpreh dyshime se shkaku i infeksionit mund të ketë qenë një fëmijë i ardhur nga Greqia. "Më thanë që dje pasdite kishte pasur pak temperaturë dhe më pas i ishte mbushur trupi me pulla të kuqe. E kishin çuar në spital dhe ata e sollën këtu. Kaq di", tregon ajo duke rrëfyer edhe problemin tjetër, që 3-vjeçarja Eljana është fëmija i vetëm i familjes dhe për fat të keq çifti Alinani nuk
mund të sjellë në jetë të tjerë fëmijë.

Masat

Karantinë dhe dezinfektim i menjëhershëm

Drejtori i spitalit, Niko Zhulla, thotë se krahas masave karantinore në spitalin rajonal "Omer Nishani" janë marrë masa të tjera dhe janë njoftuar për rastin përfaqësuesit e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) në Tiranë, të cilët pritet që sot (të hënën) të inspektojnë situatën e pacientes së prekur dhe të
karantinës në repartin e sëmundjeve infektive të këtij spitali. Terapia intensive e përcaktuar sipas protokollit ndërkombëtar për këtë sëmundje është aplikuar nën masa të rrepta të izolimit dhe të dezinfektimit të territorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›