Fundjava dhe festa, në Kapshticë shkon radha 5 kilometra
Karvani i gjatë i mjeteve të emigrantëve që janë nisur drejt shtetit grek ka arritur në 5 kilometra në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Të paktën 1200 makina kanë pritur në radhë që nga orët e mëngjesit dhe deri në mesditë, për shkak se nuk punohej nga ana e palës greke. Kjo situatë ka rënduar gjendjen në kufi, kur radhët e makinave kanë arritur deri në fshatin Kapshticë, të shoqëruara edhe nga postblloqe të policisë të ngritura enkas për të mbajtur nën kontroll lëvizjet dhe për të disiplinuar mjetet, për faktin se nga pritjet e gjata këto të fundit kanë tentuar disa herë të dalin jashtë radhës për t‘iu afruar traut doganor. Dita e diel ka qenë më e rënduara në kufi, kur edhe për shkak të nisjes së punës në shtetin fqinj dhe hapjes së shkollave, mijëra emigrantë kanë dashur të kalojnë në këtë ditë. Deri në orën 12.00 kanë mundur të kalojnë vetëm pak persona, ndërsa mijëra të tjerë janë detyruar të presin në radhë në kufirin me Kapshticën. Radhët me emigrantë kanë shtuar edhe sportelet në territorin tonë doganor, për shkak të fluksit, por sipas burimeve zyrtare të policisë kufitare, gjendja e rënduar ka ardhur për shkak të palës greke. Kjo e fundit, edhe pse zyrtarisht nuk e ka pasur ditë pushimi, ka vendosur të mos punojë, për shkak të festës fetare të Ujit të Bekuar. Ora 14.00 ka shënuar edhe nisjen e punës nga ana e palës greke, por me ritme të ngadalta, ndryshe nga disa ditë më parë, kur të gjitha sportelet greke ishin në gatishmëri të plotë dhe në dispozicion të shtetasve të interesuar për të ikur drejt shtetit fqinj. Përsëri radhë të gjata pritjeje të automjeteve të emigrantëve ka pasur edhe gjatë ditës së djeshme në Kakavijë. E shtuna dhe e diela janë ditët më të ngarkuara me lëvizje dhe që kanë ripërsëritur situatat e vështira dhe radhët e gjata në pikën më të madhe të kalimit kufitar me Greqinë në Kakavijë. Për më tepër se 6 orë kanë pritur emigrantët në radhë mëngjesin e djeshëm për të kaluar në shtetin fqinj. Kushtet e këqija të motit e kanë bërë edhe më të vështirë pritjen e emigrantëve në radhën e gjatë që shkonte deri në 2 kilometra. Sipas punonjësve të policisë së Kakavijës, fluksi dhe radhët e gjata në fundjavë priteshin, pasi emigrantët zgjedhin në përgjithësi për udhëtim ditët e pushimit. Por, radhët e gjata janë krijuar, sipas tyre, edhe nga vonesat e palës greke. Vonesat vijnë veçanërisht në kohën e ndërrimit të turneve, në anën greke të kufirit, si edhe në momentet kur mbërrijnë autobusët. Gjatë 24 orëve, deri në mesditën e së dielës, kanë mundur të ikin 3200 persona, ndërsa radhët e gjata kanë çuar gjatë ditës në shtatë orë pritjeje në radhë në një kohë me reshje dhe temperatura të ulëta. Emigrantët ankohen për bllokimin e punës nga ana e palës greke dhe për ritmet e ngadalta, ndërsa kanë thënë se nuk do të largohen, pasi janë të detyruar të qëndrojnë edhe gjatë natës në radhë për të qenë në kohë në vendet e punës dhe për të çuar fëmijët në shkollë.