Tadiç sulmon Koshtunicën: Jo luftë me BE
Polemika të reja mes dy krerëve të Serbisë në kulmin e fushatës presidenciale. Kandidati i Partisë Demokratike, aktualisht kreu i shtetit serb, ka sulmuar ashpër Kryeministrin Koshtunica, i cili ka bërë thirrje për të anuluar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, nëse BE-ja do të njohë pavarësinë e Kosovën. Tadiç, në një fjalim elektoral para mbështetësve të tij tha se
"refuzimi i integrimit në Bashkimin Evropian do të dëmtonte përpjekjet e Serbisë që ta mbajë Kosovën". "Vetëm një Serbi e fortë mund të mbrojë interesat e saj, në të cilat përfshihet edhe Kosova. Tërheqja nga rruga evropiane nënkupton tërheqje edhe nga Kosova", tha Tadiç. Kandidati presidencial i PD-së, Boris Tadiç, ka zhvilluar takime elektorale në Karllovcin e Sremit ku është pritur nga peshkopi Vasilie në Oborrin e Patrikanës. Tadiçi ka zhvilluar një manovër për të tërhequr pas vetes kishën ortodokse serbe, duke marrë pjesë në shërbesën e mbrëmjes në kishën e Shën Nikollës dhe në shugurimin në Sheshin e Branko Radiçeviçit. Kryeministri i Serbisë Voisllav Koshtunica deklaroi se "me vendimin e Bashkimit Evropian që të dërgojë Misionin e vet në Kosovë, do të shkelet dhe asgjësohet Marrëveshja për Stabilizim-Asociim, të cilën Serbia e ka firmosur me BE". "Gjërat janë plotësisht të qarta dhe nuk është më qeveria e Serbisë para zgjedhjes dhe çështjes për të marrë vendim, por tani BE-ja duhet të deklarohet dhe të kumtojë qëndrimin e vet ose Marrëveshje me Serbinë, ose dërgim të Misionit dhe kështu shkelje dhe asgjësim të Marrëveshjes me Serbinë", tha Koshtunica në një intervistë për botimin festiv të "Vecernje novostit". Koshtunica vlerësoi se me një "vendim të tillë kundërligjor, BE-ja do të shkelë rëndë Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 dhe kjo automatikisht do të thotë se nuk ekziston më Marrëveshja për Stabilizim-Asociim".
Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç, deklaroi se Beogradi, më 16 janar, në Nju Jork, mund të llogarisë në mbështetjen e Rusisë, Kinës, sikurse dhe Afrikës së Jugut, Indonezisë dhe tri anëtare të reja të Këshillit të Sigurimit të OKB, që mjaftojnë për të shmangur imponimin e vendimit për zgjidhjen e statusit të Kosovës.