E Diel, 1 Nëntor 2026

Rice: Kosova, drejt zgjidhjes së shpejtë

Sekretarja e Shtetit e SHBA, Condoleezza Rice, deklaroi se stabiliteti si dhe zhvillimet demokratike në Ballkan, janë të lidhura ngushtë me zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës. Pas një takimi me ministrin e Jashtëm bullgar, Ivaylo Kalfin, në Uashington, kreu i Departamentit Amerikan të Shtetit theksoi se komuniteti ndërkombëtar po përballet me sfida të rëndësishme siç janë: zgjerimi i NATO-s në Samitin e Bukureshtit, zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe punën e përbashkët që Ballkani të bëhet më i "sigurtë, prosperues dhe demokratik". Ndërkaq, ministri i Jashtëm bullgar, Kalfin, tha se Kosova ishte pjesë e rëndësishme e bisedës së tij me sekretaren Rice. "Kosova është një pikë shumë e ndjeshme. Fatkeqësisht janë konsumuar të gjitha përpjekjet ndërkombëtare për të arritur zgjidhje të pranueshme nga Prishtina dhe Beogradi", tha shefi i diplomacisë bullgare. Ai tha se tani duhet të shihet si të ecet tutje në zgjidhjen e statusit të Kosovës që të ruhet stabiliteti, ndërsa rajonit t‘i ofrohet mundësia që të ecë drejt stabilitetit dhe progresit. Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kouchner, vizitoi Lubjanën, ku ka biseduar me zyrtarët e Sllovenisë për marrëdhëniet mes dy vendeve. Kouchner dhe homologu i tij slloven, Dimitrij Rupel, kanë biseduar edhe për Kosovën dhe Serbinë. Franca në korrik do të marrë drejtimin e Bashkimit Evropian nga kryesuesi aktual, Sllovenia. Disa ditë më parë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, deklaroi se nuk janë shuar mundësitë për një marrëveshje mes Perëndimit dhe Rusisë, për një zgjidhje në Këshillin e Sigurimit dhe se nuk kishte shumë siguri për këtë. Ban Ki Mun tha se "zgjidhja me kompromis nëpërmjet negociatave, e mbështetur nga Këshilli i Sigurimit, paraqet rrugën më të mirë për të lëvizur përpara". Ban mendon se "çfarëdo mossuksesi i zgjidhjes së statusit të ardhshëm të Kosovës, në kuadër të kornizës së Kombeve të Bashkuara, do të kishte pasoja serioze për sistemin ndërkombëtar". Mbledhja e ardhshme e Këshillit të Sigurimit, ku do të diskutohet për Kosovën, do të jetë më 16 të këtij muaji. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të shqyrtojë më 16 janar raportin e UNMIK-ut për gjendjen në Kosovë, bëri të ditur kryesuesi i Këshillit për muajin janar, ambasadori i Libisë Xhiadala Ajtali. Raportin për situatën në Kosovë do ta paraqesë shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker. Ambasadori i Libisë tha se ky takim ishte caktuar që më herët, por formati i mbledhjes përsëri do të shqyrtohet, sepse në selinë e Kombeve të Bashkuara ka arritur kërkesa e Presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, që të flasë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit.

SHBA fushata

Dy nga kandidatët e të dyja partive deri tani kanë shfaqur qëndrimet e tyre edhe për çështjen e statusit të Kosovës duke mbështetur fuqimisht pavarësinë e saj. Ata deri më tani kanë shfaqur qëndrimet e tyre edhe për çështjen e statusit të Kosovës. Senatori republikan John Mçain, kandidati favorit i kësaj partie në zgjedhjet e nesërme në New Hampshire, në një deklaratë ka parashikuar se Kosova përfundimisht do të bëhet e pavarur, duke e quajtur definimin e statusit të saj si "një pjesë e projektit më të madh demokratik evropian që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë". Ndërkaq, ish-zonja e parë në vitet nëntëdhjetë, senatorja Hillary Clinton, ka deklaruar në dhjetor se "nëse qeveria në Prishtinë vendos për pavarësinë, unë mbështes fuqishëm njohjen e shpejtë nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës", ndërsa u ka bërë thirrje edhe vendeve të Bashkimit Evropian të bëjnë të njëjtën gjë.

BE

Franca dhe Sllovenia, të cilat do të kenë Presidencën e Bashkimit Evropian këtë vit, kanë nisur diskutimet për problemin e Kosovës, duke përfshirë edhe skemat se si do ta bindin Beogradin të tërhiqet

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›