PDK-ja konfirmon marrëveshjen për qeverinë e re, LDK-ja hesht
Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se përfundimisht është arritur marrëveshja me LDK-në për koalicionin qeverisës dhe të gjitha çështjet kontestuese në mes të PDK-së dhe LDK-së tani janë zgjidhur. Kështu ka deklaruar Vlora Çitaku, deputete në Kuvendin e Kosovës, njëherazi edhe zëdhënëse e PDK-së.
Ajo tha se kanë mbetur vetëm disa çështje teknike për t‘u diskutuar ndërmjet të dyja palëve. "PDK-ja dhe LDK-ja në parim janë pajtuar për formulën me të cilën do të qeveriset Kosova në mandatin e ardhshëm, sidoqoftë kanë mbetur edhe disa aspekte teknike për t‘u sqaruar, ato po detajizohen nga ekipet e ekspertëve nga të dyja palët dhe ne shumë shpejt presim formalizimin e nënshkrimit nga të dy kryetarët Thaçi dhe Sejdiu, në këtë pikë nuk mund të jap ndonjë informatë më të hollësishme", tha Çitaku. Sipas saj, Kosova deri të mërkurën do t‘i ketë të gjitha institucionet e reja të dala nga zgjedhjet e 17 nëntorit.
Ndërkaq, edhe nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj, deklaroi të shtunën në mbrëmje se pritet vetëm zyrtarizimi i marrëveshjes. Limaj ka cituar kreun e PDK-së të mandatuar për postin e Kryeministrit, Hashim Thaçi, të ketë thënë se koha e nënshkrimit të marrëveshjes do të caktohet nga vetë ai dhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu. "Marrëveshja është arritur, LDK-ja ka pranuar dhe tani pritet zyrtarizimi, që do të caktohet nga dy kryetarët", ka thënë Limaj. Por, në anën tjetër, zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë thënë se ende nuk bëhet fjalë për zyrtarizim të marrëveshjes, por vetëm për përafrim të qëndrimeve. Zëdhënësi i LDK-së, Vehbi Miftari, ka thënë se arritja e marrëveshjes pritet të bëhet në ditët në vijim. "Mund të konfirmoj se ka progres të vazhdueshëm në kuptimin e cilësisë dhe shpresojmë që kjo të rezultojë me një marrëveshje, por nëse i referohemi momentit të tanishëm nuk kemi ndonjë nënshkrim dhe përcaktim të qartë në afatin kohor se kur do të bëhet", tha Miftari.