E Martë, 3 Nëntor 2026

Merja: Arsimi po kthehet në luks, rritje e shpenzimeve familjare vit pas viti

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Zëdhënësja e fushatës së Partisë së Lirisë, Arla Merja theksoi sot në një dalje për mediet se “shpenzimet e familjeve shqiptare për arsim janë rritur në mënyrë dramatike gjatë tri dekadave të fundit”.

Duke iu referuar të dhënave më të fundit të INSTAT që sipas saj konfirmojnë atë që Partia e Lirisë ka denoncuar prej kohësh, Merja tha se “shteti është tërhequr gjithnjë e më shumë nga përgjegjësia e tij për të garantuar arsim cilësor, falas dhe të përballueshëm për të gjithë”.

“Në vitin 1995, familjet shqiptare shpenzuan vetëm 1.6 miliardë lekë për arsimin. Në vitin 2023, kjo shumë është rritur në 32.4 miliardë lekë, një rritje marramendëse, ndërkohë që cilësia e arsimit publik ka ardhur duke u përkeqësuar. Kjo është pasojë direkte e politikave të dështuara të kësaj qeverie, që për vite me radhë ka mbështetur interesat e arsimit privat dhe ka vendosur tarifa të papërballueshme në arsimin e lartë publik, duke shtyrë gjithnjë e më shumë familje drejt shpenzimeve private për një të drejtë themelore siç është arsimi”, theksoi Merja.

Merja bëri të ditur se “vetëm në vitin 2022, shpenzimet familjare për arsim u rritën me 17.5% krahasuar me vitin paraardhës, dhe me 8% të tjera në vitin 2023. Kjo tendencë pritet të vijojë edhe në vitin 2025, për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve në shërbimet arsimore. Ndërkohë që vendi përballet me rënie të lindshmërisë dhe emigrimin masiv të të rinjve, institucionet private të arsimit të lartë po përfitojnë gjithnjë e më shumë nga ky sistem i deformuar. Nga viti 2016 deri në vitin 2023, numri i studentëve në arsimin e lartë privat është rritur me afro 7 mijë, duke zënë tashmë 27.6% të totalit”.

Ajo ritheksoi angazhimin e PL-së për një sistem arsimor publik cilësor, gjithëpërfshirës dhe të financuar me dinjitet nga shteti.

“Arsimi nuk mund të jetë një mall tregu, por themeli i së ardhmes së vendit. Çdo fëmijë ka të drejtën për një edukim të denjë, pa u penguar nga pamundësitë ekonomike të familjes”, tha Merja.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›