E Diel, 1 Nëntor 2026

Mes të arrestuarve edhe djali i ish-deputetit të PS/ Si u zbuluan 3 episodet e trafikut të drogës drejt BE dhe Turqisë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë me dije detaje të tjera në lidhje me operacionin ku në pranga ra edhe Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit socialist, Rrahman Rraja.

SPAK thotë se këto hetime janë realizuar në bashkëpunim me autoritetet europiane të drejtësisë, strukturat e hetimit të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, si dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Kanë qenë përgjimet e zbuluara nga autoritetet franceze në SkyECC që kanë nxjerrë mënyrën se si funksiononte grupi.

Prokuroria dyshon se personat e arrestuar dhe ata në kërkim janë përfshirë në aktivitet të paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Malit të Zi me destinacion final Gjermaninë, nga Shqipëria drejt Turqisë, si dhe nga vendet e Amerikës së Jugut drejt Bashkimit Europian.

 “Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri më tani, si dhe nga ekzekutimi i letërporosive nga autoritetet malazeze, holandeze dhe turke, janë zbardhur rrethana të rëndësishme të kryerjes së veprave penale, duke u evidentuar rolet e drejtuesve, financuesve dhe pjesëmarrësve në këtë veprimtari kriminale”, njoftoi SPAK.

•Episodi i parë, i përket datës 3 nëntor 2020, gjatë të cilit nga autoritetet kompetente të Malit të Zi, është sekuestruar sasia prej 1722 kilogramësh, bimë narkotike e llojit marijuanë, e dërguar nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Gjermaninë.

•Episodi i dytë, i përket datës 23 nëntor 2020, gjatë të cilit nga autoritetet kompetente të Mbretërisë së Holandës, është sekuestruar sasia prej 475 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e dërguar nga Ekuadori në Portin Vlissingen, Holandë.

•Episodi i tretë, i përket datës 26 janar 2021, gjatë të cilit nga autoritetet të Turqisë, është sekuestruar sasia prej 236 kg bimë narkotike e llojit marijuanë, e dërguar nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Turqinë.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i ka regjistruar hetimet më datë 18 janar 2024 për veprat penale të kryera gjatë viteve 2020-2021: “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a dhe 28 pika 4 të Kodit Penal; “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a të Kodit Penal, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal, pa autor.

Në lidhje me aksionin e sotëm, 10 dhjetor, janë arrestuar dhjetë persona (tre prej tyre iu komunikua masa në burg) si dhe janë shpallur në kërkim katër persona të tjerë.

LEXO EDHE: Drogë drejt BE-së dhe Turqisë, SPAK informacion zyrtar për operacionin në Nikël: 10 të arrestuar, 4 në kërkim

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›