E Martë, 3 Nëntor 2026

Misioni vëzhgues i OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, Zannier takim në Partinë e Lirisë

TIRANË, 7 prill/ATSH/ Ambasadori Lamberto Zannier, kreu i misionit të vëzhgimit të ODIHR-it, vizitoi sot selinë e Partisë së Lirisë,  në kuadër të vëzhgimit të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Gjatë takimit përfaqësuesit e PL-së, e  informuan ambasadorin Zannier lidhur me problematikat në këtë fushatë elektorale.

Në një prononcim për mediet pas takimit, Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi tha se “e informuam ambasadorin Zannier lidhur me izolimin kriminal, në ekstrem, pa fakte dhe pa prova penale, në shkelje të ligjeve dhe të Kushtetutës, të Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Izolim i cili është bërë pikërisht në funksion të zgjedhjeve të 11 Majit”.

Gjithashtu, tha Blushi, theksuam edhe faktin se ky regjim, i cili ka kapur tanimë të gjitha institucionet e pavarura, përfshi edhe sistemin e drejtësisë, po bën çdo gjë që të cenojë standardet e këtyre zgjedhjeve, të cenojë një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor.

Blushi shprehu bindjen se koalicioni “ PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” do të arrijë një fitore spektakolare dhe se programi , “Made in Albania”, do të votohet masivisht nga shqiptarët më 11 maj.

Ambasadori i OSBE-së, Zannier tha se takimi është në kuadër të takimeve para zgjedhjeve që sipas tij mund të jenë të vlefshme për fokusin e monitorimit në fusha problematike. Zannier tha se të gjitha vëzhgimet do të përfshihen në raporte.

I pyetur nëse mbajtja në burg e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta në fushatë do cenonte barazinë në zgjedhje, ai u përgjigj se sapo ka ardhur në Shqipëri.

“Qëndrojmë pas vendimeve të institucioneve shqiptare. Sigurisht qëndrojmë edhe pas shtetit të së drejtës dhe pas aplikimit të ligjit jo të politizuar”, u shpreh Zannier. /k.s/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›