Moratoriumi i gjuetisë – Në Shkodër ka dhënë rezultate, megjithatë ka raste sporadike të paligjshmërisë

Biologët vlerësojnë se moratoriumi i gjuetisë ka dhënë rezultatet e para pozitive, duke ndikuar ndjeshëm në shtimin e numrit të shpendëve në zonat e mbrojtura.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se sfidat mbeten. Biologia Aurora Piroviq shprehet se ende nuk përjashtohen rastet sporadike të gjuetisë së paligjshme në Shkodër, të cilat vijojnë të rrezikojnë ekosistemin dhe përpjekjet për ruajtjen e biodiversitetit.
“Pavarësisht se kemi qenë në moratorium mbi 10 vite, ka përmirësime; zbatimi i këtij ligji ka përmirësime, por nuk përjashtohen rastet e gjuetisë së paligjshme jo vetëm në liqenin e Shkodrës, por edhe në vende të tjera. Ka ende paligjshmëri në lidhje me gjuetinë e paligjshme në zona të mbrojtura. Mbrojtja duhet të jetë e vazhdueshme, qoftë e habitateve, qoftë ndaj shpendëve, duke reduktuar sa më pak kërcënimet ndaj florës dhe faunës në liqenin e Shkodrës”, tha ekspertja.
Sipas biologes Piroviq, monitorimet e kryera vitet e fundit tregojnë një rikthim gradual të disa specieve që më parë ishin në rënie.
Ajo apelon për më shumë kontrolle në terren dhe bashkëpunim me komunitetin lokal, në mënyrë që rezultatet pozitive të jenë të qëndrueshme në kohë.
Gazetar: Mirsad Rakaj
/rtsh.al/