“Ma hodhe një herë, të të vijë turp, por herën e dyt녔/ Veliaj ia përsërit Ramës: Nuk e delegon detyrën te Arbër Hajdari! Ministrat e tu…

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka refuzuar sërish kërkesën për të deleguar drejtimin e Bashkisë së Tiranës, duke i dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë kryeministrit Edi Rama. Nga paraburgimi në Fier, Veliaj ka bërë publike përgjigjet që thotë se ia ka dhënë ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, duke kundërshtuar mundësinë që kompetencat e tij t’i kalojnë Arbër Hajdarit.
Kryebashkiaku shprehet se e ka deleguar një herë drejtimin e institucionit për 18 muaj, por nuk ka ndërmend ta përsërisë këtë vendim. Për të përforcuar qëndrimin e tij, ai përdor edhe shprehjen e njohur angleze: “Fool me once, shame on you. Fool me twice, shame on me”, që në shqip do të thotë: “Ma hodhe një herë, të të vijë turp ty. Ma hodhe për herë të dytë, turp të më vijë mua”.
“Nuk e delegoj BT. E delegova 18 muaj. Mandatin ma dha GJK dhe populli i majtë e qytetar 160 mijë vota”, shkruan Veliaj, duke këmbëngulur se drejtimi i Bashkisë së Tiranës buron nga vota e qytetarëve dhe jo nga vendimmarrja e kryeministrit.
Ai kritikon ashpër mënyrën se si është administruar bashkia gjatë periudhës kur nuk ka ushtruar drejtpërdrejt kompetencat, duke pretenduar se institucioni ka mbetur pa investime, pa projekte të reja dhe pa vendime të rëndësishme.
“0 shkolla, 0 pemë të mbjella, 0 investime të reja, 0 vendime të rëndësishme, 0 kredi të lëshuara, madje humbëm dhe Katarin te Bulevardi i Ri, dhe BEI te Lana”, rendit ai në reagimin e tij.
Sipas Veliajt, situata ndryshoi pasi ai rimori kompetencat, duke pretenduar se në pak javë u zhbllokuan gjashtë shkolla dhe 1 500 kredi të buta për qytetarët.
“Në pak javë që e mora u zhbllokuan 6 shkolla në shtator, +1500 kredi të buta. Jo se jam më i afti, po se jam zgjedhur, ndaj dhe më i përgjegjshëm”, shprehet kryebashkiaku.
Veliaj nuk kursen kritikat as për ndërhyrjen e Ramës në administrimin e kryeqytetit, duke e akuzuar se kishte premtuar të merrej personalisht me problemet e Tiranës, por situata, sipas tij, vetëm sa u përkeqësua.
Përplasja me Ramën shkon përtej drejtimit të bashkisë. Veliaj kritikon edhe përbërjen e qeverisë, duke pretenduar se ministrat aktualë nuk kanë përvojë në opozitë dhe nuk e njohin historinë e përballjeve politike të socialistëve.
“Po ju s’keni nga ta dini, keni një qeveri ku asnjë ministër s’ka bërë një ditë opozitë. Unë isha aty në 21 janar, aty për grevën e urisë, aty në ‘28 janar’ (e di KM sh mirë), e verën 2011 me R e lanë të gjithë vetëm. Ku ishin këta sot ministra? Ndaj e kanë kollaj ta gënjejnë e helmojnë, me ‘armiq të brendshëm’ se s’kanë as memorie, sillen si palaçot tek ‘rrobat e mbretit’”, vijon Veliaj.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb