“Si mund të rrëzoj rendin kushtetues nga burgu?”/ Veliaj ironi me Ramën: Po gjen armiq të brendshëm si në kohën e Enverit! Kur ruaja unë Tiranën nga dhuna, ju…

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka ashpërsuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po përpiqet ta lidhë me protestat studentore dhe ta paraqesë si një kërcënim për rendin kushtetues. Nga paraburgimi, Veliaj ka bërë publike përgjigjet që thotë se ia ka dhënë ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, duke hedhur poshtë pretendimet për përfshirjen e tij në organizimin dhe financimin e protestave.
Me tone ironike, kryebashkiaku e krahason situatën me periudhën e diktaturës komuniste, kur kundërshtarët shpalleshin armiq të brendshëm. Ai shprehet se është absurde të akuzohet për organizimin e protestave dhe rrëzimin e rendit kushtetues, ndërkohë që ndodhet prej muajsh i izoluar në burg.
“Nuk jam organizator e financues as i Flamingove, as studentëve – këto janë gjepura si në kohë të Enverit! Ku është katandis shteti, gjeti armikun e brendshëm. Kur ruaja unë Tiranën nga dhuna 54 javë digjej bashkia s’ju akuzoja ju dhe pse digjej BT me molotovë e s’lëvizi gishtin kush. Si mund të rrëzoj rendin kushtetues nga burgu? A jeni në vete apo e thoni të qetësohet KM? I kuptoni fjalët që thoni? Ju paska thënë dhe terrorizëm! HAHA”, shkruan Veliaj.
Ai i referohet protestave të mëparshme të opozitës përpara Bashkisë së Tiranës, duke kujtuar se institucioni që drejtonte u sulmua vazhdimisht me molotovë. Sipas tij, edhe pse për javë të tëra bashkia u përball me akte dhune, ai nuk akuzoi drejtuesit e Partisë Socialiste për organizimin e tyre.
Në mesazhin drejtuar Ramës, Veliaj këmbëngul se nuk do të pranojë asnjë presion përmes akuzave që i cilëson të sajuara.
Përplasja nuk kufizohet vetëm te protestat. Veliaj pretendon se transferimi i tij në burgun e Fierit është përdorur si një formë presioni dhe se përmes ministrit të Drejtësisë i janë përcjellë mesazhe që lidhen me akuzat penale dhe dënimin e mundshëm.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb