Shqipëria në hartën ndërkombëtare të automobilizmit: Promovohet Tirana Grand Prix 2026 në panairin e Bolonjës

TIRANË, 24 tetor/ATSH/ Në panairin prestigjioz “Auto e Moto d’Epoca” në Bolonja, Shqipëria promovoi ngjarjen e madhe të vitit të ardhshëm, Tirana Grand Prix 2026, një event që synon të sjellë në zemër të kryeqytetit elegancën, historinë dhe adrenalinën e mjeteve klasike dhe moderne.
“Një event që do të sjellë në zemër të Tiranës elegancën, historinë dhe adrenalinën e mjeteve klasike dhe moderne, duke vendosur Shqipërinë në hartën ndërkombëtare të pasionit automobilistik”, deklaroi Haxhiu.
Ngjarja u diskutua sot gjatë një paneli të dedikuar pasionit automobilistik, ku morën pjesë drejtori i përgjithshëm i DPSHTRR-së, Endri Haxhiu, dhe presidenti i Old Cars Club, Antonio Durso.
Dita e dytë e panairit në Bolonjë tërhoqi vëmendjen e dashamirësve të shumtë të automjeteve klasike dhe historike. Vizitorët u mahnitën nga koleksionet e rralla të ekspozuara dhe shprehën kureshtje të madhe për pasionin dhe përkushtimin me të cilin komuniteti shqiptar i automotivës ruan historinë dhe trashëgiminë e këtyre mjeteve ikonike.
Haxhiu theksoi se interesi i madh i publikut tregon se dashuria për automjetet klasike është kthyer në një pasion të përbashkët, që bashkon breza dhe kontribuon në ruajtjen e një pjese të rëndësishme të identitetit kulturor shqiptar.
Ai shtoi se, “është një ndjenjë krenarie të shohësh se Shqipëria ka një komunitet kaq të fortë dhe të përkushtuar, që e konsideron këtë pasuri kulturore si pjesë të historisë sonë kombëtare”.
Panairi “Auto Moto d’Epoca” do të vijojë edhe në ditët në vijim, duke ofruar për publikun një udhëtim unik në kohë përmes mjeteve që, siç theksojnë organizatorët, “flasin më shumë se 1000 fjalë”.
Shqipëria merr pjesë për herë të parë me stendën e saj përfaqësuese në këtë panair prestigjioz ndërkombëtar.
1 nga 15/a.f/r.e/