E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë pret aktivitetin pararendës të “World Law Congress”, Rama: Vlerësim për reformën në drejtësi

Tirana do të mirëpresë më 6 dhe 7 maj një aktivitet ndërkombëtar që i paraprin “World Law Congress”, një nga forumet më të rëndësishme globale për sundimin e ligjit, i cili do të mbahet vitin e ardhshëm në bashkëpunim me Shoqatën Botërore të Juristëve.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se përzgjedhja e Shqipërisë si vend pritës për këtë platformë të nivelit të lartë përbën një vlerësim të drejtpërdrejtë për reformën në drejtësi dhe progresin e arritur deri më sot.

“Përtej rëndësisë së vetë këtij evenimenti, përzgjedhja e Shqipërisë si vend pritës për këtë platformë, lidhet drejtpërdrejtë me një vlerësim të lartë të reformës në drejtësi dhe me fazën ku ndodhet sot ky transformim i afirmuar. Reforma në drejtësi nuk ka qenë një proces i lehtë. Ajo ka kërkuar vullnet politik të hekurt, vendimmarrje të vështira dhe gatishmëri të jashtëzakonshme për ndryshime të thella”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se reforma në drejtësi ka qenë një proces sfidues, që ka kërkuar vendimmarrje të vështira dhe një angazhim të fortë politik për realizimin e ndryshimeve të thella. Sipas tij, ky transformim është mbështetur dhe vijon të garantohet nga shumica parlamentare e Partisë Socialiste.

“Ky proces është bërë i mundur dhe sot e gjithë ditën garantohet nga shumica parlamentare e Partisë Socialiste. Prandaj fakti që Shqipëria bëhet mikpritëse e një platforme të tillë globale për sundimin e ligjit është një motiv krenarie për të gjithë, por posaçërisht për ne, qeverinë e kësaj shumice”, theksoi Rama.

“World Law Congress” zhvillohet nën patronazhin e Mbretit Felipe VI të Spanjës dhe mbledh liderë politikë, juristë dhe ekspertë të njohur ndërkombëtarë të fushës së drejtësisë, duke shërbyer si një platformë e rëndësishme për diskutime mbi shtetin e së drejtës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›