E Hënë, 2 Nëntor 2026

NJU JORK – Këshilli i Sigurimit i OKB-së miraton rivendosjen e sanksioneve ndaj Iranit

NJU JORK, 19 shtator /ATSH-DPA/- Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi sot rivendosjen e sanksioneve ndaj Iranit – pasi hodhi poshtë një projektrezolutë që parashikonte zgjatjen e pezullimit të tyre.

Sanksionet ekonomike të vendosura për herë të parë midis viteve 2006 dhe 2010 tani pritet të hyjnë sërish në fuqi më 28 shtator, në rast se nuk arrihet një marrëveshje në minutën e fundit me Teheranin.

Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca aktivizuan të ashtuquajturin, mekanizmi i sanksioneve “kthim pas në kohë” në fund të gushtit, duke akuzuar Iranin për shkelje të rënda të marrëveshjes historike bërthamore të vitit 2015.

Ata përmendin, ndër shkelje të tjera, pasurimin e uraniumit përtej niveleve të nevojshme për qëllime civile.

Siç pritej, projektrezoluta për të mbajtur në fuqi lehtësimin e sanksioneve nuk arriti të fitonte nëntë votat e kërkuara në këshillin prej 15 anëtarësh.

Të tre shtetet evropiane kanë ende kohë deri në fund të javës së ardhshme për të negociuar lëshime me Iranin – që mund të pengojnë hyrjen në fuqi të sanksioneve.

Megjithatë, diplomatët aktualisht e konsiderojnë një rezultat të tillë të pamundur.

Në prag të votimit, Irani paraqiti një propozim të ri. Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi shkroi në X, dje në mbrëmje se kishte paraqitur një plan të arsyeshëm dhe të zbatueshëm për tre vendet evropiane një ditë më parë, i cili synon të shmangë një krizë të panevojshme dhe të shmangshme në ditët në vijim.

Araghchi foli për një propozim krijues, të drejtë dhe të ekuilibruar që adreson shqetësime të vërteta dhe është i dobishëm për të dyja palët, pa dhënë asnjë detaj rreth përmbajtjes së tij.

Duke folur në Gjenevë, zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Saeed Khatibzadeh kërcënoi se Teherani do të luante “kartat strategjike” nëse sanksionet e OKB-së do të rivendoseshin.

Ndërsa Khatibzadeh nuk u zotua për ndonjë plan specifik në konferencën për shtyp, ai e bëri të qartë se Irani do të merrte në shqyrtim tërheqjen nga Traktati i Mospërhapjes Bërthamore si një nga opsionet e tij.

Traktati u ndalon vendeve jo-bërthamore të blejnë armë bërthamore dhe i detyron fuqitë bërthamore të çarmatosen.//a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›