E Hënë, 2 Nëntor 2026

SHBA – Trump do të takohet me Xi në Korenë e Jugut në samitin e APEC

UASHINGTON, 19 shtator /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha sot se do të takohet me presidentin kinez, Xi Jinping këtë vjeshtë – në samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Korenë e Jugut.

Udhëheqësi i SHBA-së e bëri njoftimin në platformën e tij “Truth Social” pas një bisede telefonike me Xi, duke thënë se do të udhëtonte në Kinë në fillim të vitit të ardhshëm dhe se pret një vizitë nga Xi.

“Sapo përfundova një telefonatë shumë produktive me presidentin Xi të Kinës”, shkroi Trump.

“Ne bëmë progres në shumë çështje të rëndësishme, duke përfshirë tregtinë, fentanilin, nevojën për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës dhe miratimin e marrëveshjes per TikTok-un”, shtoi Trump.

“Gjithashtu rashë dakord me presidentin Xi që të takohemi në samitin e APEC në Korenë e Jugut. Unë do të shkoj në Kinë në fillim të vitit të ardhshëm dhe presidenti Xi do të vijë gjithashtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një kohë të përshtatshme”, shtoi ai.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina janë aktualisht në një pauzë në mosmarrëveshjen e tyre për tarifat, e cila nisi në prill kur të dy vendet kërcënuan se do të vendosnin tarifa prej më shumë se 100% për mallrat e njëri-tjetrit.

Në gusht, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për ta mbajtur pauzën në fuqi deri më 10 nëntor. Pekini njoftoi gjithashtu një zgjatje të afatit për mbylljen e TikTok-ut. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›