NJU JORK – Netanyahu i adresohet sot Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

NJU JORK, 26 shtator /ATSH-DPA/- Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do t’i adresohet sot Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në Nju Jork – disa ditë pasi disa vende perëndimore njohën shtetin palestinez.
Netanyahu ka kritikuar vendimin e Francës, Britanisë së Madhe dhe disa vendeve të tjera për njohjen e shtetit të Palestinës, duke e etiketuar atë si një shpërblim për organizatën islamiste Hamas pas sulmeve të 7 tetorit.
Udhëheqësi izraelit do të mbaje sot një fjalim në ditën e katërt të takimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së së bashku me përfaqësues nga Kina, Britania e Madhe dhe vende të tjera.
Seanca është planifikuar të vazhdojë deri të hënën, me një pushim të dielën.
Një total prej rreth 150 krerë shtetesh dhe qeverish, si dhe përfaqësues të tjerë kombëtarë, pritet të mbajnë fjalime në këtë ngjarje.
Ndërsa lufta e Rusisë kundër Ukrainës, financat e tensionuara të OKB-së dhe roli global i Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë qenë tema kryesore, debati i këtij viti është dominuar nga konflikti në Gaza mes ofensivës së Izraelit në Qytetin e Gazës.
Presidenti palestinez Mahmoud Abbas dënoi dje sjelljen e Izraelit në territorin bregdetar duke e konsideruar një gjenocid – në fjalimin e tij para Asamblesë së Përgjithshme, i cili u zhvillua nëpërmjet një lidhjeje me video pasi iu refuzua viza nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Megjithatë, Abbas tha se një shtet palestinez mund të bashkëjetojë në paqe me Izraelin pa përfshirjen e Hamasit – një shenjë se një zgjidhje me dy shtete mbetet qëllimi i tij, pavarësisht kundërshtimit nga qeveria e Netanyahut. //a.i.