E Hënë, 2 Nëntor 2026

NORVEGJI – Fituesja e Çmimit Nobel: Irani po më kërcënon me “eliminim fizik”

OSLO, 11 korrik /ATSH-DPA/ – Fituesja iraniane e Çmimit Nobel për Paqen, Narges Mohammadi, i ka thënë komitetit norvegjez të  Nobelit për kërcënimet shqetësuese  me jetë ndaj saj.

Aktivistja për të drejtat e njeriut I tha kryetarit të komitetit, Jørgen Watne Frydnes, gjatë një “telefonate urgjente” se kishte marrë kërcënime të drejtpërdrejta dhe të tërthorta për “eliminim fizik” nga agjentë të regjimit iranian, njoftoi sot komiteti.

Mohammadi u nderua me Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2023. Ajo e mori këtë çmim për luftën e saj kundër shtypjes së grave dhe dënimit me vdekje në Iran, si dhe për përkushtimin ndaj të drejtave të njeriut dhe lirisë.

Komiteti Nobel tha se ishte “thellësisht i shqetësuar” për kërcënimet  ndaj Mohammadit, por edhe për të gjithë iranianët që shprehin mendime kritike ndaj regjimit iranian.

Në deklaratë, Frydnes u bëri thirrje autoriteteve iraniane që “të mbrojnë jo vetëm jetën e tyre, por edhe lirinë e tyre të  shprehjes”.

Së fundmi, Mohammadi, së bashku me aktivisten iraniane të të drejtave të njeriut Shirin Ebadi, e cila është gjithashtu fituese e Çmimit Nobel për Paqen, ka bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës midis Izraelit dhe Iranit. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›