E Diel, 1 Nëntor 2026

NORVEGJI – Shpërthim pranë ambasadës amerikane, nuk ka të plagosur

OSLO, 8 mars /ATSH-DPA/ – Policia norvegjeze ka rrethuar zonën përreth ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Oslo pasi është raportuar një shpërthim pranë ndërtesës.

Sipas policisë, në vendngjarje u dërguan forca të shumta rreth orës 01:00 me orën lokale.

Autoritetet kanë konfirmuar se janë në kontakt me përfaqësuesit e ambasadës dhe se deri tani nuk raportohet për persona të lënduar.

Policia tha gjithashtu se aktualisht nuk ka informacion të qartë mbi natyrën e shpërthimit apo se kush mund të jetë i përfshirë në incident.

Michael Dellemyr, i cili drejton operacionin policor, i tha transmetuesit publik norvegjez NRK se shpërthimi ndodhi pranë hyrjes publike të ndërtesës së ambasadës.

Sipas raportimeve të medieve, ndërtesa e ambasadës ka pësuar vetëm dëme të vogla materiale.

Ambasada amerikane ndodhet në zonën Morgedalsvegen të Oslos, rreth 7 kilometra larg qendrës së qytetit. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›