E Diel, 1 Nëntor 2026

Statistikat, gjatë vitit 2007 janë trafikuar 27 femra rome

Në Levan është dhe vendi ku është përqendruar më shumë komuniteti rom në rrethin e Fierit. E ndërsa ky i fundit regjistron shumë vatra të tilla me banorë nga ky komunitet, Levanin e cilëson si kryeqendrën e romëve. Përveç ekonomisë së dobët dhe mënyrës së jetesës, ky komunitet sot vuan kërcënimin real, duke qenë se është gjithmonë objekt trafiku i qenieve njerëzore. Ndërkohë që policia e Fierit dhe shoqata "Amaroo droom" jep për herë të parë një shifër të fëmijëve dhe femrave rome të trafikuara brenda një viti, apeli që vjen prej këtij komuniteti është për pak më shumë vëmendje nga shteti. Ndërsa një prej familjeve denoncon publikisht rrëmbimin e vajzës 17-vjeçare. Pas deklarimit të bërë nga kreu i shoqatës "Amaroo droom", Refit Dule, për shfrytëzim të prostitucionit në 27 femra, një banor i lagjes rome në Komunën Levan, Flamur Kazanxhiu, babai i 17-vjeçares Elvira Kazanxhiu, është shprehur për gazetën se vajzën e tij e kanë rrëmbyer në banesën e përbashkët, duke e gënjyer. Por kërcënimi për trafikim është ende prezent sot në pjesën më dërrmuese të komunitetit rom në Fier e veçanërisht në Levan. Gjatë paradites së të shtunës, pranë Komisariatit të policisë Fier, një 22-vjeçare po nga lagjja rome e Levanit është drejtuar për të denoncuar. Mira Osmani, së bashku me kunatën e saj (nusen e të vëllait), Edlirën, janë shprehur për gazetën "Shqip" se "prej disa ditësh tre romë të ndjekur edhe nga një i bardhë po përdorin forcë me qëllim për të më çuar në Greqi. Më kanë rrahur e dhunuar në oborr të shtëpisë dhe më merrnin zvarrë për të më hipur në makinë", ka treguar Mira Osmani. Burimet zyrtare të policisë së Fierit kanë pranuar shifrën e lartë të fermave dhe fëmijëve romë të trafikuar. Po këto burime kanë pohuar për "Shqip" se ka mjaft raste ku fermat e trafikuara, të gënjyera për një jetë më të mirë, kanë ikur me dëshirën e tyre dhe familjet e tyre, duke përfituar të ardhura nga vajzat apo të afërmet, nuk i janë drejtuar policisë për denoncim. Sipas të dhënave që vijnë prej shoqatës "Amaro droom", mësohet se një pjesë e fëmijëve dhe femrave të trafikuara shfrytëzohen edhe nga të afërm apo familjarë të tyre. Ndërkohë që pjesa më e madhe e rasteve të shfrytëzimit kryhet nga persona të tjerë, kryesisht nga qytetet fqinje. Rreth 80 fëmijë romë rezultojnë të jenë larguar nga banesat e tyre nga qyteza e Levanit në rrethin Fier dhe të shfrytëzohen si lypsa të rrugëve

në rrethet Fier, Vlorë e kryeqytet. Madje një pjesë e madhe e tyre janë trafikuar dhe vijojnë të shfrytëzohen për trafik edhe nëpër rrugët e shteteve të Evropës. Numërohen 27 femra të trafikuara që shfrytëzohen për prostitucion jashtë kufijve të vendit. Shifrat janë bërë prezent nga kryetari i shoqatës "Amaroo droom" në këtë njësi banimi, Refit Dule. Ky i fundit u shpreh për gazetën "Shqip" se gjithçka ka ardhur për arsye ekonomike. Sipas tij, janë të evidentuara me emra dhe me familje femrat e trafikuara. Por familjet në fjalë, nisur edhe nga shkaqet ekonomike, si dhe probleme që kanë të bëjnë me sigurinë e tyre, nuk kanë denoncuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›