E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndahet nga jeta ish-zv.kryeministri dhe ministri socialist Zyhdi Pepa

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Bujqësisë i Partisë Socialiste, Zyhdi Pepa është ndarë sot nga jeta në moshën 79-vjeçare.

Lajmin e bëri të ditur kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ndërsa në emër të grupit parlamentar të PS-së i shprehu ngushëllimet familjes së Zyhdi Pepës.

Zyhdi Pepa ka përfaqësuar Partinë Socialiste si deputet në dy legjislatura, gjithashtu ka qenë zv.kryeministër dhe ministër i Bujqësisë gjatë viteve 1991-1992.

Mandati i tij përkoi me proceset e para të reformimit ekonomik, privatizimit të tokës dhe riorganizimit të institucioneve shtetërore pas rënies së regjimit komunist.

Në të njëjtën periudhë, Pepa ka ushtruar edhe funksionin e zëvendëskryeministrit, duke qenë pjesë e qeverisë së stabilitetit që kishte për detyrë menaxhimin e tranzicionit politik dhe institucional të vendit.

Qeveria ku ai mori pjesë ishte e përbërë nga përfaqësues të spektrit të ndryshëm politik dhe synonte garantimin e rendit, reformave bazë dhe përgatitjen e zgjedhjeve të lira. Ai ka ushtruar detyrën si zv.kryeministër dhe ministër i Bujqësisë në qeverinë e Ylli Bufit dhe më pas të Vilson Ahmetit.

/m.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›