E Diel, 1 Nëntor 2026

Konkurrenca dhe inteligjenca ekonomike

Biznesi privat në Shqipëri kontribuon aktualisht në masën 75-80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, shifër që evidenton qartë rëndësinë e tij jetike për ekonominë dhe zhvillimin tonë. Rritja ekonomike, zhvillimi social, punësimi, çmimet, pagat e shumë punonjësve etj., po varen gjithnjë e më shumë nga ecuria dhe performanca e këtij sektori. Por, debatet dhe reagimet më të mëdha në Shqipëri, kur është fjala për efektivitetin apo dhe mbijetesën e biznesit përqendrohen gjithnjë dhe pothuajse në të njëjtën temë e shqetësim: politikat fiskale të qeverisë, favorizuese apo shtrënguese? Për më tepër, kur diskutohet për aftësinë shumë të dobët konkurruese të produkteve dhe ndërmarrjeve shqiptare, si në tregun e brendshëm, ashtu dhe në atë të jashtëm, ankorimi i fluksit të kërkesave dhe vëmendjes vetëm te politikat dhe masat rregullatore, fiskale apo liberalizuese dëshmon për një mangësi serioze, ose më e pakta, për një këndvështrim të pjesshëm të problemit.

Pse eksportojmë me kaq vështirësi? Pse mundemi kaq kollaj dhe në tregun tonë të brendshëm? Pse jemi kaq të prirë që fokusin ta orientojmë vetëm te paketat fiskale, buxheti vjetor e afatmesëm? Pse jemi të vëmendshëm vetëm ndaj reformave rregullatore, të anatemojmë shpesh MTL dhe masat e tjera të liberalizimit të tregut, të kërkojmë vazhdimisht politika mbështetëse e subvencionuese etj?

Natyrisht që efektet e gjithë këtij arsenali politikash kanë pasoja direkte dhe indirekte ndaj performancës së biznesit, por zhvillimet moderne të 10-15 viteve të fundit po evidentojnë fuqishëm një faktor dhe burim të ri performance dhe qëndrueshmërie për biznesin: "inteligjencën ekonomike". Falë kuptimit të drejtë dhe përfshirjes gjerësisht të saj në "trupin dhe menaxhimin" e ndërmarrjeve, shumë pengesa që kanë lidhje më konkurrencën, kostot dhe çmimet e larta, penetrimin në tregje të cilësuara si të vështira etj., tashmë po kapërcehen gjithnjë e më lehtësisht. Në përmbajtjen standarde të saj, inteligjenca ekonomike konsiderohet si "mbledhja e informacionit, njohurive, praktikave e përvojave më të mira në fushën e biznesit në rang kombëtar e ndërkombëtar dhe transformimi i tyre në praktika e sisteme vepruese në një firmë apo kompani të dhënë". Ekspertët e kësaj fushe kanë përcaktuar se "inteligjenca ekonomike është sot arma më e fuqishme strategjike e biznesit dhe vetë ekonomisë së një vendi".

Sipas E.Hiller & B.Mamann "inteligjenca ekonomike, inovacionet, teknologjitë e reja dhe performanca në zotërimin e tregjeve përbëjnë sot biletën fituese në lotarinë e ekonomisë globale". Qëllimi final i saj është "adaptimi permanent i kompanive dhe firmave me transformimet e ekonomisë moderne". Richard Collin e përkufizon në mënyrë lakonike situatën e re ku ka hyrë biznesi: "ne po kalojmë nga një botë industriale ku sfida kryesore është transaksioni tregtar dhe produktiviteti, në një botë të teknologjisë së lartë dhe informacionit, sfida e së cilës është inovacioni dhe informacioni mbi njohuritë e reja". Japonezët e kanë bërë sfidë të tyre konceptin se "të njohësh dhe shpërndash atë që ndodh jashtë nesh përbën një element çelës të suksesit dhe pozicionit tonë strategjik". Shumica dërrmuese e bizneseve në mjaft vende të botës i dedikojnë tashmë 5-6% të buxhetit të tyre kërkimit të informacionit të specializuar për tregjet ku ata shesin ose përgatiten të shesin, informacionit për strukturën teknologjike dhe organizimin e ndërmarrjeve që i konkurrojnë ata në tregjet e brendshme, makineritë dhe pajisjet moderne që ofrohen çdo ditë në tregun e teknologjive të reja, nivelin e njohurive të personelit të biznesit konkurrent etj.

Motoja e gjithë kësaj tendence të re është shprehja e J.F.Kenedit se "është injoranca ajo që kushton më shtrenjtë se gjithçka". Në këtë pikë, biznesi shqiptar ka shumë e shumë për të bërë, që nga sasia inekzistente e shpenzimeve dhe strukturave të "kërkim zhvillimit" ashtu dhe mungesës totale të kërkimeve për tregjet, teknologjitë e reja, metodat moderne të prodhimit, gjetja dhe stabilizimi i stafeve menaxhuese të kualifikuara etj. Në nivel shtetëror "inteligjenca ekonomike" konsiderohet si një politikë publike, e cila konsiston në përcaktimin e rregullave publike dhe objektivave qeveritare për t‘i orientuar dhe detyruar ndërmarrjet dhe biznesin në përgjithësi në implementimin sa më të gjerë dhe të plotë të saj. Konsiderimi i inteligjencës ekonomike si politikë publike u bë për herë të parë në fund të viteve ‘80-të të shekullit të kaluar nga qeveritë e Anglisë, SHBA, Japonisë dhe Suedisë, të cilat ngritën qendra të posaçme për grumbullimin, përpunimin dhe shpërndarjen e gjithë informacionit cilësor që kishte të bënte me teknikat dhe teknologjitë e reja që përdornin ndërmarrjet nëpër botë të konsideruara si konkurruese, të gjithë format më të mira të menaxhimit dhe organizimit të tyre, të gjitha tregjet e mundshme dhe karakteristikat e veçoritë e penetrimit në to, të gjitha rekomandimet kryesore të qendrave e revistave shkencore për sa i përket performancës së biznesit etj. Në periudhën 1992-2000 ishte radha e Indisë, Kinës, Rusisë, si dhe qeverive të pjesës dërrmuese të vendeve evropiane si: Franca, Italia, Spanja, Irlanda, Gjermania, Belgjika, Norvegjia, Finlanda, Holanda etj., që ta vendosnin inteligjencën ekonomike si prioritet të rëndësishëm publik. Për shumë kohë, kjo u quajt si një politikë dhe angazhim që kishte lidhje, ose më mirë u takonte vendeve të mëdha e të pasura që ishin determinuese në tregjet botërore.

Por përhapja shumë e shpejtë e fenomenit të globalizimit ku të gjithë, shtete të mëdha e të vogla, të pasur e të varfër, të zhvilluar e në zhvillim "gjenden në të njëjtën anije" dhe ku tashmë "të gjithë janë në konkurrencë me të gjithë" po dëshmon se çdo biznes, firmë, ndërmarrje, kompani nacionale apo multinacionale ka nevojë absolute për inteligjencën ekonomike si pjesë të strategjive dhe veprimtarisë së saj. Inteligjenca ekonomike po konsiderohet prej tyre si "leva e arkimedit për të hyrë në globalizim". Fillimi i mijëvjeçarit të ri po evidenton qeveri dhe shtete të tjera që po e vendosin si prioritet publik inteligjencën ekonomike. Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria, Sllovenia, Lituania, Indonezia, Maroku, Tunizia, Kili, Afrika e Jugut, Argjentina, Zelanda e Re, Polonia, etj., po implementojnë çdo ditë e më intensivisht njësitë e inteligjencës ekonomike pranë zyrave të Kryeministrit, qeverisë, Parlamentit, ministrive të Ekonomisë dhe Financave, ministrive të Jashtme, të Arsimit e Shkencës etj.

Sipas Allain Juillet, drejtor i njësisë së inteligjencës ekonomike pranë Kryeministrit francez, "pjesa dërrmuese e ndërmarrjeve tona ndeshen përditë në treg me mallrat e ndërmarrjeve konkurruese….dhe politika jonë është t‘i informojmë sa më mirë ato në raport me teknikat dhe teknologjitë që aplikojnë konkurrentët e tyre…t‘i orientojmë në raport me funksionimin e tregjeve dhe strukturën organizative e legale të tyre…t‘i ndihmojmë me çdo informacion që rrit performancën e tyre…t‘i detyrojmë të ngrenë të gjitha strukturat e nevojshme të kërkim-zhvillimit, të sigurohemi se rekrutimi i personelit dhe cilësitë e tij janë në nivelin e duhur për të identifikuar dhe absorbuar teknologjitë dhe format e organizimit më të avancuara të kohës".

Eksperienca pozitive e shumë vendeve të botës në ngritjen e strukturave të specializuara është evidente. Ministria e Jashtme kineze dhe diplomacia e saj ekonomike konsiderohet si një njësi ekselente në sistemin e inteligjencës ekonomike, Indonezia me "Institutin Kombëtar të Inteligjencës Ekonomike" po merret si shembull referues i rëndësishëm, Maroku me "Institutin Strategjik për Investimet e Huaja", Franca me "rrjetin e informacionit strategjik për ndërmarrjet" etj., janë shembuj që tregojnë se sa i rëndësishëm po bëhet institucionalizimi i inteligjencës ekonomike për të përballuar konkurrencën dhe kapriçiot e tregjeve. Ndërkohë, pothuajse në të gjitha vendet e botës, edhe universitetet dhe qendrat e kualifikimit shkencor e profesional po lëvizin me shpejtësi në përgjigje të kësaj situate të re. Në Evropë, vlerësohet se tashmë mbi 40% e universiteteve kanë ndërtuar module speciale për inteligjencën ekonomike dhe mbi 10% e tyre japin diploma universitare që lidhen direkt me ekspertët në fushën e inteligjencës ekonomike. Në SHBA, këto shifra janë në nivele akoma më të larta, ndërkohë që e njëjta tendencë po vihet re në Azi, Amerikën e Jugut, vendet e Afrikës Veriore, Turqi, Iran, Meksikë, Australi etj.

Parë nën këtë këndvështrim, megjithëse në politikat tona publike mund të evidentohen elemente të veçanta të inteligjencës ekonomike, përsëri është më se e qartë se ajo nuk ekziston akoma si objektiv i mirëfilltë. Kjo është plotësisht e vërtetë po të kemi parasysh faktin se termi dhe koncepti "inteligjencë ekonomike" nuk ekziston në asnjë dokument zyrtar qoftë ky i natyrës strategjike apo zhvillimore, lëre pastaj të flitet për struktura e institucione për zbatimin në praktikë, buxhete për mbështetjen e tij, indikatorë të specifikuar për ta matur dhe evidentuar etj. Po kështu, me përjashtim të ndonjë lënde në fakultetet ekonomike, asnjë fakultet apo universitet nuk ka akoma module apo tituj diplome në këtë drejtim. Reflektimi ndaj këtij problemi është urgjent si për politikat qeveritare ashtu dhe për vetë biznesin dhe universitetet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›