“Ndaloni mbështetjen madhështore për diplomatët e huaj”, deputetë të Opozitës reagojnë pas arrestimit të Mogherinit

Deputetë të Opozitës kanë reaguar pas lajmit të arrestimit në Bruksel të Rektores së Kolegjit të Evropës, Federica Mogherini.
Deputeti i PD-së, Gjin Gjoni, ka reaguar pas lajmit për ndalimin në Bruksel të ish-shefes së diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, me urdhër të Zyrës së Prokurorit Publik Europian.
“Rektore aktualisht është arrestuar për shkak të korrupsionit dhe shpresoj të mos jetë e lidhur edhe me korrupsionin në lidhje me zgjedhjen e Kolegjit të Europës në Shqipëri. Të shpresojmë”, tha Gjin Gjoni.
Ndërsa deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, shprehet: “Ndaloni mbështetjen madhështore për diplomatët e huaj, ja tek e keni mbështetësen tuaj Federika Mogerini, nisur nga lajmet e fundit, e kanë arrestuar për Kolegjin e Evropës. Ndaloni përdorimin e diplomatëve të korruptuar në Tiranë. Ata duhet t’i përgjigjen dy pyetjeve, me valixhe në bodrum apo me zarfa në duar. Ja ku e keni Federika Mogerinin, e arrestuar, që ju mbështeti për reformën në drejtësi, i dhatë edhe tokë publike në zemër të Tiranës. I keni falur tokë atje ku protestojnë qytetarët, në mes të Tiranës. Pse? Ne këtu jemi të gjithë të barabartë. Jeni ju që duhet të na dëgjoni ne”.
Mogherini është aktualisht Rektore e Kolegjit të Europës dhe ka shërbyer si Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme.
Sipas mediave ndërkombëtare, sot u bënë bastisje në shërbimin diplomatik të Bashkimit Evropian në Bruksel dhe në disa ndërtesa të Kolegjit të Europës në Bruges. Në total, u arrestuan tre persona, përfshirë Mogherinin.
Hetimet datojnë nga periudha 2021-2022, ndërsa ka dyshime për mashtrim në dhënien e kontratave publike, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional.
LEXO EDHE: Detaje nga arrestimi i Federica Mogherinit/ Për çfarë dyshohet ish-zyrtarja e lartë e BE