Dosja “Buka”, GJKKO shtyn seancën ndaj Arben Ahmetajt

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të shtyjë për më 16 dhjetor, në orën 13:30, seancën gjyqësore ndaj ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili po gjykohet në kuadër të dosjes së njohur si “Buka SHA”.
Shtyrja erdhi për shkak të mungesës së avokatit Gokaj, i cili ndodhej i angazhuar në një proces tjetër gjyqësor dhe nuk mund të ishte i pranishëm në sallën e gjyqit.
Prokuroria e Posaçme ka ndarë çështjen për biznesmenin Lirim Fezollari dhe për disa persona të tjërë, përfaqësues të Ministrisë së Financave, dhe ka sjellë në gjyq vetëm ish-zv/Kryeministrin Arben Ahmetaj.
Sipas hetimeve, biznesmeni dyshohet se ka përfituar nga privatizimi në kohën kur Arben Ahmetaj ishte ministër i Financave. Ka gjithashtu dyshime se Ahmetaj dhe Fezollari, kishin marrëdhënie përtej komunikimit institucional, nga e cila ka arritur të privatizojë aksionet e shoqërisë “Buka Sh.a.
I “vendosur” në Zvicër, Ahmetaj akuzohet edhe për çështjen e “Incineratorëve”, për pastrim parash dhe fshehje pasurie.