Ndezi zjarr dhe flakët u përhapën duke rrezikuar banesat, arrestohet 60-vjeçari në Vlorë

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Policia e Vlorës arrestoi një 60-vjeçar, i cili ndezi zjarr në oborrin e banesës së tij dhe më pas flakët u përhapën duke rrezikuar banesa të tjera dhe sipërfaqe toke.
Policia njoftoi se pas marrjes së njoftimit se në lagjen “Partizani”, kishte rënë zjarr dhe nga përhapja e flakëve po digjeshin sipërfaqe toke dhe po rrezikoheshin banesat në afërsi, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, në mbështetje të forcave zjarrfikëse.
Paralelisht me ndërhyrjen për fikjen e zjarrit, u kryen veprimet hetimore për përcaktimin e shkakut të rënies së tij.
Sipas policisë, si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë bënë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasit G. R., 60 vjeç, banues në Vlorë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
/m.q/j.p/r.e/