Berisha-Ismailit: Skandali “Hyseni” cenon sigurinë kombëtare, po e trajtoni me papërgjegjshmëri

TIRANË, 24 shtator /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në Kuvend e cilësoi masën ndaj ish-kreut të Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, si një skandal të rëndë që cenon sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n.
Gjatë fjalës së tij, duke iu përgjigjur ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjon Ismaili, Berisha tha se qeveria po e trajton me papërgjegjshmëri situatën dhe kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama.
“Sot në ditën kur siguria kombëtare është shembur në mënyrë totale, kur të dhënat sensitive sekrete që NATO i besonte vendit anëtar, Shqipëri, kanë kaluar në mënyrë të vazhdueshme në duart e armiqve të Shqipërisë dhe NATO-s, përfaqësuesit e qeverisë ngrihen këtu dhe recitojnë në papërgjegjshmëri të plotë. Ka vetëm një rrugë, dorëheqjen e menjëhershme të Padrinos, i cili ndërtoi këtë piramidë turpi narkoshteti”, u shpreh Berisha.
“Po si mundet ju të qëndroni indiferentë apo të recitoni, si parafolësja, në aktin më skandaloz në historinë e NATO-s, në aktin më skandaloz në historinë e një shteti të Evropës? Dhe ju bëni sikur nuk ka ndodhur gjë, në papërgjegjshmëri të plotë”, tha Berisha.
Berisha e cilësoi situatën si “një ditë turpi” dhe kërkoi transparencë të plotë për atë që ai e përshkroi si një prej skandaleve më të rënda të lidhura me sigurinë kombëtare.
Sipas tij, kalimi i të dhënave sensitive dhe sekrete të NATO-s në duart e personave armiqësorë ndaj Shqipërisë dhe Aleancës do të kishte pasoja të rënda për vendin.
“Është goditja më fatale për reputacionin e saj”, u shpreh Berisha, duke iu referuar Shqipërisë dhe pozitës së saj si vend anëtar i NATO-s.
Seanca plenare e Kuvendit, foto: Andrin Hoxha 1 nga 6/m.q/j.p/r.e/