Ndreu: Zjarret në Pukë, pasojë e qartë e një akti kriminal

TIRANË, 22 gusht/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Lezhës Pjerin Ndreu i konsideroi absurde pretendimet se zjarret lidhen me “Paketën e Maleve”, ndërsa u shpreh se “këto janë përralla dhe përpjekje për përfitim politik e personal në kurriz të një ngjarjeje të rëndë”.
Duke marrë shkas nga zjarri në fshatin Gojan të Pukës, Ndreu u shpreh se ky rast duhet t’i bëjë të gjithëve më të kujdesshëm, më të përqendruar dhe më të angazhuar në parandalimin e zjarreve.
“Rastin e Gojanit e kam ndjekur orë pas ore, në kontakt të vazhdueshëm me banorë, drejtuesit e operacionit në terren dhe me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi. Falë Zotit, nuk kemi viktima në njerëz”, u shpreh Ndreu.
Sipas tij, ajo që ndodhi është pasojë e qartë e një akti kriminal.
“Dikush ose disa ndezën zjarrin. Më pas, kushtet e vështira të terrenit, erërat e forta dhe thatësira, që favorizoi përhapjen e shpejtë të flakëve, dominuan edhe mbi përpjekjet heroike të zjarrfikësve, banorëve dhe pilotëve”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, Ndreu theksoi se nuk i shërbejnë askujt shfaqjet e atyre që sot bëjnë sikur u dhemb më shumë se kujtdo tjetër, pa ndërmarrë asnjë veprim konkret në mbështetje të banorëve dhe zjarrfikësve që përballen me rrezikun, por duke u sulur vetëm ndaj qeverisë.
“Edhe më absurd është pretendimi se zjarret lidhen me “Paketën e Maleve”. Këto janë përralla dhe përpjekje për përfitim politik e personal në kurriz të një ngjarjeje të rëndë.
Para se të jepni receta, të ngrini akuza dhe të caktoni përgjegjës nga larg, vini të paktën një dorë në mbështetje të banorëve dhe të njerëzve që po luftojnë me flakët. Sot nevojitet solidaritet, përgjegjësi dhe veprim konkret, jo politikë me fatkeqësinë”, shtoi ai.
/m.m/r.e/ /a.g/