E Enjte, 5 Nëntor 2026

Në pranga 6 persona, në hetim nga SPAK për skemë përfitimi nga banesat sociale në Spitallë

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Si rezultat i hetimeve të drejtuara nga SPAK, Policia e Shtetit ka arrestuar gjashtë persona, që kishin ndërtuar një skemë përfitimi të paligjshme për dhënien e disa banesave sociale në Spitallë.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale ekzekutojnë masat e sigurisë për 6 shtetas të akuzuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm, ndërsa janë shpallur në kërkim, për të njëjtën akuzë nga SPAK, 2 shtetas.

Është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, caktuar nga GJKKO-ja, për shtetasit V. K., B. L., G. S. dhe E. Ç. Gjithashtu, është ekzekutuar masa e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, caktuar nga GJKKO-ja, për shtetasit G. P. dhe S. S. Më tej, u shpallën në kërkim shtetasja V. M., me masë sigurie “Arrest në burg”, si dhe shtetasi Sh. D., me masë sigurie “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.

Nga hetimet e drejtuara nga SPAK, ka rezultuar se shtetasit G. S., V. K., V. M., B. L. dhe E, Ç. kishin ngritur një skemë përfitimi të paligjshme, duke u prezantuar si punonjës me funksione drejtuese dhe vendimmarrëse, për dhënien e disa banesave sociale në Spitallë, Durrës, kundrejt përfitimit të shumës 15 000 euro. Ndërkaq, 3 shtetasit e tjerë akuzohen se kanë dhënë shumat monetare, me qëllim përfitimin e banesave sociale. Gjatë kontrolleve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 automjete, 7 celularë, 1 armë e dyshuar pistoletë sportive dhe dokumente të ndryshme.

Punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›