Arrestohet ish-drejtuesi i Kadastrës në Durrës, në kërkim 3 të tjerë

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Policia e Shtetit dhe Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare ka finalizuar në Durrës operacionin policor të koduar “Roli”. Shtetasi A.K, 52 vjeç, banues në Durrës (ish-drejtues në ASHK Durrës” ka rënë në pranga për veprën penale shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.
Arrestimi u krye pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës kërkoi vendosjen e masës së sigurimit “arrest në burg” për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’ kryer në bashkëpunim për katër shtetas: A.K. ish-kryeregjistrues ASHK Durrës; B.Z me detyrë jurist në ASHK Durrës; L.D me detyrë hartograf në ASHK Durrës; dhe A.D përfituese.
Nga hetimi rezultoi se shtetasja A.D., në bashkëpunim me punonjësit e ASHK-së Durrës, shtetasit A.K., B.Z. dhe L.D., kanë regjistruar pasurinë e llojit arë me sipërfaqë 12.900 m2 pa asnjë dokument ligjor, pasuri kjo e ndodhur në Lalëz Durrës, e cila më parë ka qenë pasuri me status “shtet”.
Kjo pasuri u regjistrua në kundërshtim me ligjin “Për vlefshmërinë ligjore të titujve të pronësisë”, i ndryshuar” pasi u regjistrua bazuar në një vendim gjykate i cili detyronte komunën për pajisjen me AMTP. Nga hetimet rezultoi se për këtë pasuri nuk është lëshuar asnjëherë AMTP nga institucionet përkatëse, si dhe nuk ka asnjë dokumentacion apo aplikim në ASHK në lidhje me këtë pasuri.
Gjykata e Shkallë së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për këtë pasuri ka vendosur ‘Sekuestro preventive”, të kësaj toke. /j.p./