Nisi sot edicioni i 82-të i Turit Çiklistik të Shqipërisë, rrugët që do të bllokohen

TIRANË, 26 maj /ATSH/ Edicioni i 82-të i Turit Çiklistik të Shqipërisë nisi sot në një maratonë 5-ditore, që do të dhurojë shumë adrenalinë për sportistët nga mbarë Europa.
Pesë etapat nga 26-30 maj priten me plot rivalitet, që do të regjistrojnë një edicion që do të prekë mbarë Shqipërinë.
Ky event organizohet nga Federata Shqiptare e Çiklizmit, që drejtohet nga Skënder Anxhaku.
Rrethi Çiklistik i Shqipërisë, një prej garave më të vjetra në Evropë, përbëhet nga 15 skuadra dhe 96 sportistë, të cilët nisen sot nga Tirana, për etapën e parë e cila do të jetë e gjatë 151 km e do të vijojë drejt Rrëshenit, për t’u mbyllur në Shkodër.
Më pas etapa e dytë do të jetë nga qyteti verior drejt Elbasanit, e gjatë 188 km. Dita e tretë do të ketë si itinerar Elbasan-Vlorë, me një distancë prej 149 km, për të shkuar më pas në etapën e katërt, e cila do të ketë shumë magji e adrenalinë pasi çiklistët do të tregojnë veten në terrenin e vështirë mes Vlorës dhe Himarës, duke ngjitur dhe Llogoranë, në një distancë prej 153 km.
Turi i Shqipërisë do të përfundojë të premten e ardhshme me etapën e pestë dhe të fundit me nisje në Vlorë dhe përfundim në Fier, ku do të kurorëzohet dhe fituesi i këtij edicioni të 82-të.
Ky tur vjen vetëm pak ditë pasi në Shqipëri u mbajt “Grande Partenza” e “Giro d’Italia”, me 3 etapa që nisën në Durrës, vijuan në Tiranë dhe përfunduan në Vlorë.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, Policia kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve për shmangien e kalimit në rrugët ku do të zhvillohet ky aktivitet, në datat dhe oraret si më poshtë:
ETAPA E PARË Datë 26.05.2025
Rruga “Zogu i Parë”, Tiranë – Rruga e Durrësit, nga 11:30 deri në orën 12:30
Autostrada “Durrës – Tiranë” deri në Kashar, nga ora 11:30 deri në orën 12:20
Autostrada “Kashar – Thumanë”, nga ora 12:00 deri në orën 12:45
Thumanë – Milot, nga ora 12:30 deri në orën 13.10
Rruga Milot – Rrëshen, nga ora 12:50 deri në orën 13:45
Rruga Rrëshen – Milot, nga ora 13:30, dëri në orën 14:15
Rruga Milot –Lezhë, nga ora 14:00 deri në orën 14:30
Rruga Lezhë – Shkodër, nga ora 14:45 deri në orën 15:30
Nga sheshi “Balshaj” në rrugën “Zogu i Parë”, deri në Parrucë, Shkodër, nga ora 15:10 deri në orën 15:45.
Nis sot edicioni i 82-të i Turit Çiklistik të Shqipërisë (Video)
Nis turi çiklistik i Shqipërisë, Foto: Agim Dobi 1 nga 12/r.e/a.f/