Mate vlerëson reformat e arritura
Ministri i Brendshëm i Sllovenisë, Dragutin Mate, në emër të Presidencës sllovene, ka përshëndetur nisjen e negociatave për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. "Disa ditë më parë, ne nisëm në këshill bisedimet për nisjen e negociatave për liberalizimin e vizave dhe të gjithë anëtarët e mbështetën këtë propozim të Frattinit", është shprehur Mate. Duke iu drejtuar Kryeministrit Berisha dhe ministrave të tij, Mate ka vlerësuar hapat e bërë, të cilët kanë sjellë hapjen e negociatave. "Ju plotësuat disa nga kërkesat tona bazë për të filluar negociatat. Nga ajo që na tha zoti Kryeministër, nga reagimi politik i tij dhe qeverisë së tij, pasi kjo çështje mbulohet më tepër nga Ministria e Brendshme, unë e zoti Frattini jemi të bindur se shumë shpejt Shqipëria do t‘i plotësojë këto kushte", tha Mate. Ai garantoi qeverinë shqiptare se mund të mbështetet te Presidenca e Sllovenisë deri në fund të gjashtëmujorit të parë, por mund të mbështeteni edhe te Sllovenia si vend për çfarëdo ndihme që lidhet me çështjet e sigurisë.