E Diel, 1 Nëntor 2026

Shevçenko: Seria A, më e mirë se kampionati anglez

Andri Shevçenko nuk ka kursyer ankesat e tij për jetën në Angli, duke bërë gjithnjë e më të paqartë të ardhmen te skuadra e Çelsit. Sulmuesi ukrainas që u ble për 30 milionë sterlina nga skuadra londineze në vitin 2006, nuk ka arritur ende të shfaqë formën e tij më të mirë, ashtu siç bënte te Milani. Lojtari, i dëmtuar për të disatën herë gjatë këtyre 18 muajve në Angli, ka pranuar se i mungon Italia dhe se Seria A është një kampionat më superior se ai anglez. Sipas tij, Arsenali dhe Liverpuli do të vuajnë shumë në përballjet kundër Milanit dhe Interit, ndërsa personalisht shpresonte që pasi të mbyllte karrierën si lojtar, të kthehej në një ambasador sportiv për Ukrainën.

"Unë ndjej nostalgji për Italinë. Më mungojnë miqtë e mi dhe disa gjëra të atij vendi, duke filluar nga ushqimi. Më pas më mungon atmosfera dhe tensioni i ndeshjeve italiane. Gjërat janë shumë më të qeta këtu. Unë i kuptoj pjesën më të madhe të gjërave në gjuhën angleze, por e kam të vështirë të flas, preferoj më shumë italishten. Futbolli italian është fantastik. Ai ka lidhje me taktikën dhe inteligjencën. Vetë italianët vlerësojnë kampionët e mëdhenj dhe futbollin e bukur. Ndërsa futbolli anglez është më i shpejtë dhe fizik. Skuadrat e vogla mundohen të ngushtojnë diferencën me skuadrat e mëdha, duke luajtur me shumë forcë. Mund ta përmbledh gjithçka, duke thënë se futbolli italian është më shumë për logjikën dhe finalizimin, pak a shumë si shahu, ndërsa loja angleze bazohet më shumë te shpejtësia dhe instinkti", ishte krahasimi i Shevçenkos mes së kaluarës së tij dhe së tashmes.

Sipas tij, problemi më i madh gjatë aktivizimit në Angli ka qenë mungesa e qëndrueshmërisë në paraqitje dhe në formën fizike. "Problemi im kryesor është se nuk kam qenë në gjendje të siguroj vazhdimësi. Këtë sezon unë po paraqitesha mirë, kisha shënuar 7 gola në 10 ndeshjet e fundit, por çuditërisht m‘u shfaqën përsëri problemet në kurriz. Tani më duhet të qëndroj pushim për një muaj. Do të dëshiroja që të kthehesha përsëri rregullisht në fushën e lojës para se njerëzit të japin mendime të nxituara për mua", u shpreh ukrainasi, i cili është vlerësuar si blerja më e dështuar e të gjitha kohërave në kampionatin anglez.

Sulmuesi beson se mbërritja e Nikolas Anelka te Çelsi nuk do ta nxjerrë atë përfundimisht jashtë formacionit. Francezi pritet të jetë titullar përkrah Dider Drogba në sulmin e londinezëve, por Shevçenko pret rastin e tij për të treguar se është i vlefshëm te kjo skuadër. "Nuk shqetësohem nëse afrohen lojtarë të tjerë në skuadër. Unë kam besim tek aftësitë e mia. Unë e di që nëse jam në formë të mirë, jam aq i vlefshëm sa çdo futbollist i skuadrës ndaj besoj se mund ta ruaj vendin tim. Lojtarët e rinj vetëm do të përforcojnë këtë ekip dhe të gjithë e dinë që një klub si Çelsi afron gjithmonë futbollistë cilësorë. Kjo do të thotë se të gjithëve u duhet të luftojnë shumë për të siguruar vendin në formacion. Edhe unë jam një lojtar i tillë", u shpreh Shevçenko. Ukrainasi ka folur edhe për ecurinë e dy prej ekipeve angleze në Ligën e Kampioneve, Arsenalit dhe Liverpulit, të cilët sipas tij, nuk do ta kenë të gjatë në këtë turne. "Arsenali mendoj se është ende një skuadër e re për këtë turne. Ndërsa Liverpuli po kalon shumë probleme dhe nuk po luan në vazhdimësi", përfundoi 31- vjeçari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›