E Diel, 1 Nëntor 2026

Mançester UTD, tifozët kundër klubit

Nëse në pjesën e parë të sezonit dukej se në fushën e lojës gjithçka ecte mirë për Mançester Junajted, kjo nuk mund të thuhet për ato që ndodhin kur mbarojnë ndeshjet. Tifozët e "Red Devils" nuk mjaftohen me rezultatet e mira të skuadrës: ata vazhdojnë të pozicionohen kundër pronarëve amerikanë të klubit dhe këtë e tregojnë në çdo mënyrë të mundshme. Këtë e ka provuar edhe administratori i deleguar i Mançesterit, Devid Gill, që pasi është kthyer nga një udhëtim pune është ndeshur në një surprizë të keqe: muret e shtëpisë së tij në Boudon kanë qenë të mbushura me shkrime ofenduese. Në qendër të sulmeve ka qenë zyrtari i lartë i klubit dhe familja Glejzër (që zotëron skuadrën), ndërkohë që përmbajtja e disa shkrimeve ishte "Gill Tradhtar" dhe "Glejzërs Largohuni".

Gjatë mbrëmjes së të enjtes shkrimet janë fshirë nga muret e shtëpisë së administratorit të deleguar të klubit, por sipas së përditshmes britanike "Daily Mail" veprimi lidhet me deklaratat e bëra nga Gill gjatë javës së kaluar. Ai kishte thënë se e vlerësonte pa masë mënyrën sesi familja Glejzër po drejtonte skuadrën. "Pronarët i lënë të lirë të punojnë dhe ndërhyjnë vetëm në ato zona ku mendon se mund të japë vërtetë një kontribut të çmuar për klubin, siç janë sektori komercial dhe kontratat publicitare", ishte deklarata e administratorit. "Megjithatë, do të ketë gjithmonë njerëz që nuk i do në krye të klubit, edhe nëse skuadra do të arrinte të fitonte tre Liga të Kampioneve".

Sipas "Daily Mail", në shënjestër të tifozëve mund të jetë edhe Sër Aleks Ferguson. Paralajmërimi se trajneri mund të jetë objektivi i ardhshëm, ka ardhur edhe për faktin se skocezi nuk e ka fshehur asnjëherë mbështetjen për pronarët amerikanë. Ndërkohë, pas ndeshjes së luajtur dje kundër Riding, skuadra ka fluturuar drejt Arabisë Saudite, ku të hënën do të zhvillojë një takim miqësor. Për "shqetësimin" e shkaktuar nga ky udhëtim dhe nga përballja e planifikuar në Riad, Mançesteri do përfitojë 1,34 milionë euro. Sipas së përditshmes tjetër angleze, "Daily Mirror", moda e miqësoreve ndërkombëtare, brenda pak kohësh mund të shndërrohet në një "zakon" për klubet e Premiershipit. Gazeta thekson se trajnerët e klubeve elitare dëshirojnë që skuadrat e tyre të luajnë të paktën një ndeshje në sezon jashtë Anglisë: objektivi kryesor mbeten vendet e Lindjes së Largët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›