Oksford, e gjithë biblioteka do të "ankorohet" në internet
Do të ishte një sekret, sepse askush, përveç disa punonjësve, nuk mund të hyjë në këtë vend. Ambienti brenda saj të jep përshtypjen e një miniere të vjetër, nga e cila nuk nxirret ar, diamant apo qymyr, por një numër i pafundmë librash. Male me libra, ose më saktë kilometra të tërë, ekzaktësisht rreth 5 të tillë. Ky është spektakli që të ofrohet sapo shkel në magazinën e nëndheshme të "Bodleian Library", bibliotekës së Oksfordit, e njohur ndryshe si biblioteka universitare më e madhe e Evropës. Rreth 11 milionë libra të vendosur mes rafteve të njëllojta, shkallëve, karrocave, kartelave të shkruara me dorë, të cilat të udhëzojnë qartë se duhet ta vendosësh patjetër çdo libër në vendin ku është marrë, përndryshe ekziston mundësia të mos e gjesh më kurrë. Megjithatë, brenda kësaj "madhështie" nuk mund të humbasësh kurrsesi: një vijë e verdhë, e vendosur në tokë, është si një lloj guide për të ndihmuar vizitorët e papërvojë të gjejnë rrugën e daljes.
Nëse ekziston një vend që simbolizon republikën arkaike të letrave, "republikën e të diturve", ashtu si themeluesit të "Bodleian Library" i pëlqente të përcaktonte akademikët, studiuesit, njerëzit e kulturës dhe sigurisht këtë ndërtesë, në zemër të një universiteti më shumë se 800-vjeçar, mes pikturave të filozofëve me paruke, matematikanëve, shkrimeve në latinisht ("Dominus illuminatio mea", atëherë motoja e Oksfordit është: Zot, qofsh t‘i drita ime) dhe bibliotekarëve që duket sikur janë nxjerrë nga Anglia e vjetër e epokës viktoriane. Megjithatë do të kalojë që këtu, nga kjo minierë me vëllimet që i ka mbuluar pluhuri, projekti më utopik për të gjithë ata që e adhurojnë dijen e shkruar. Librat e të gjitha kohërave dhe të përkthyer në të gjitha gjuhët do të transferohen në hapësirën e pafundme të internetit.
Romane, saga, biografi, receta kuzhinash, traktate shkencore, guida turistike, bibla, kuranë, talmund, poema, përralla, abetare, atlase gjeografikë, pra gjithçka.
Projekti quhet "Kërko libra" dhe promovuesi i saj është "Google": motori i kërkimit më i përhapur në botë, gjigandi i internetit, fjalëkalimi në jetët tona ashtu si ajri - virtual - që thithim e na jep jetë në shekullin XXI. Me "Google"-in mund të gjesh e të mësosh çdo gjë: imazhe, lajme, harta, duke bërë çdo lloj kërkimi, edhe atë më intim.
Por jo i gjithë informacioni ndodhet në rrjet. Vetëm 10 për qind e të gjitha informacioneve në nivel botëror janë të disponueshme online. Qëllimi kryesor i kësaj kompanie është që t‘i lejojë përdoruesit të kërkojnë informacione në të gjithë librat ekzistues, nga tekstet më të panjohura e të lashta, te romanët e kohëve të fundit, duke e organizuar kërkimin jo vetëm mbi titullin dhe emrin e autorit, por edhe mbi përmbajtjen e çdo libri. Nëse një emër apo term shfaqet në faqen 321, duke klikuar në "Google" ju mund të arrini lehtësisht në faqen e kërkuar, nga ekrani i kompjuterit.
Sigurisht nuk është një punë e thjeshtë të skanosh e të sistemosh në rrejt miliona e miliona libra. Diçka e tillë kërkon punë dhe burim, mbi të gjitha kërkon katalogë të mirë nga ku mund të niset gjithçka: "Google" ka filluar të krijojë një partneritet me 27 bibliotekat universitare më të mëdha të Amerikës, mes tyre atë të Harvardit. Tashmë kompania "Google" i është drejtuar bibliotekave të Evropës. Ajo ka marrëdhënie të ngushta me pesë biblioteka universitare të kontinentit të vjetër, mes tyre është edhe ajo e Oksfordit, por po kërkon raporte me të tjera. Qëllimi? "Për ta zgjeruar edhe më shumë dijen, komunikimin, përhapjen e informacioneve", shpjegon drejtori i "Kërkimit të librave" në Evropë, nga zyrat e ardhshme londineze të "Google"-t.
Një aspekt sekondar i programit është partneriteti me botuesit, të cilët mund t‘i publikojnë në rrjet katalogët e tyre, duke përfshirë edhe librat jashtë shtypit. As bibliotekat, as botuesit, e aq më pak përdoruesit online nuk do të paguajnë për shërbimin. Gjithçka është falas. Për librat që mbulohen nga e drejta e autorit, "Google" do të publikojë vetëm kopertinën, ndonjë faqe dhe një link ku blerësit mund të informohen për çmimin; për ato që nuk mbulohen nga e drejta e autorit, sepse autori ka vdekur të paktën prej 70 vjetësh, "Google" do të lejojë leximin dhe shkarkimin e të gjithë volumit.
Duke qenë se është një kompani private e jo një shoqatë humanitare, lind pyetja pse "Google" po ndërmerr këtë nismë dhe ku është fitimi i tij? "Ky angazhim përkon me demokratizimin e njohjeve njerëzore. Fitimet do të vijnë nga reklamat, të cilat botuesit, ose redaktorët, nëse duan, mund t‘i nxjerrin në një kolonë në të djathtë të ekranit", pohon drejtori. Ai që i trembet faktit se kjo nismë mund të çonte në "vdekje" të librave të letrës, gabohet. "Përfundimi është se nga kjo risi shitem më shumë libra se më parë. Botuesit dhe autorët që kanë hyrë në këtë program i kanë rritur shitjet. Çdokush mund të gjejë librat që dëshiron, pa lëvizur nga shtëpia, thjesht duke klikuar disa fjalë kyçe në kompjuter", përfundon ai.