E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhulia Roberts: një mama superyll

Në filmin e saj më të fundit luan rolin e një gruaje të shoqërisë së lartë, në moshë të nderuar, që ka kryer shumë operacione plastike për të ruajtur sa më gjatë rininë. Vetë aktorja, tashmë nënë e tre fëmijëve, thotë se asaj vetë i pëlqen procesi i plakjes dhe se nuk do të dëshironte kurrë ta ndalonte atë në mënyrë artificiale, pasi "edhe plakja ka bukurinë e saj"
"Ende kam nën lëkurë ndjesinë e maskës së fytyrës së personazhit që kam interpretuar në rolin tim të fundit. Është një ndjesi që më djeg", thotë Roberts. Ajo shprehet se ka bërë maksimumin e saj shpirtëror, por edhe fizik për të arritur realizimin e rolit të Xhoana Herring, teksanes së djathtë dhe të pasur që interpreton në filmin "Lufta e Çarli Uilsonit". "Personazhi im nuk e kishte problem që t‘i deklaronte ndërhyrjet kirurgjikale në fytyrë, ndaj jam përpjekur që këtë ta përcjell sa më bindshëm, duke e paraqitur fytyrën time sa më pranë realitetit të Xhoanës. Grimieria ime ka bërë një punë të mrekullueshme dhe jam e bindur se do ta vlerësojnë të gjithë kur të shohin filmin. Ishte një rol, sfidë në të gjitha drejtimet", thotë artistja, e cila sapo ka mbushur 40 vjeç tetorin që shkoi. Në një intervistë që ka dhënë në një televizion amerikan ajo deklaroi se mezi e kishte pritur që të kalonte atë që shumë gra e quajnë kufirin mes rinisë dhe pleqërisë, pra moshën 40 vjeç. "Ja ku jam, jam mirë me veten, me moshën time dhe me githçka që më rrethon", shprehet Xhulia, e cila edhe pse kanë kaluar thuajse 20 vjet nga dita kur u bë e famshme, vazhdon të mbetet një nga ikonat më të ndritura të Hollivudit, një aktore që pavarësisht moshës ka një yll që nuk i ka perënduar dhe synon që t‘i ndriçojë gjatë në qiellin e kinemasë. "Të avancosh në moshë është një gjë shumë e këndshme për mua. Më në fund je çliruar nga disa lloj konceptesh që të kanë mbajtur shtrënguar gjatë viteve të rinisë së hershme. Veç kësaj, ndërsa njeriu plaket, bëhet më i ndërlikuar dhe peizazhi që shfaqet para teje është i ndryshëm, por edhe më interesant. Jam shumë e vëmendshme ndaj ndryshimeve të mia dhe mundohem t‘i pranoj e t‘i jetoj ato pa stres. Unë i mirëpres ndryshimet e jetës, pasi është e natyrshme që pas rinisë, të vijë një ditë që trupi yt të pësojë ndryshime falë kohës që ikën". Pasi i ka dhënë lamtumirën filmit të saj, që do të shfaqet premierë në kinematë amerikane më 11 janar, Roberts i pëlqen të qëndrojë ulur e të pijë kafe në hotelin "Katër Stinët" në Beverli Hill, i ngjashëm me atë të filmit që e bëri botërisht të famshme "Gruaja e Bukur". Mban veshur si gjithmonë gjëra shumë të thjeshta: një fustan gri deri te gjunjët dhe një palë çizme të gjata të zeza. Si gjithmonë fytyra, sytë dhe buzëqeshja i rrezatojnë dhe shkaku janë, sipas vetë Roberts, tri krijesat e mrekullueshme që e presin në shtëpi: binjakët trevjeçarë dhe foshnja 6-muajshe.
Për sa i përket rolit, ndërsa ai i gruas së bukur ishte një rol që nuk kishte të bënte me politikën, por me ndryshimin e një mentaliteti në fillim të viteve ‘90, filmi më i fundit është i tillë. Ai nuk ka të bëjë aq me ngjarjet e asaj periudhe, të dy dhjetëvjeçarëve më parë në Afganistan, kur një kongresmen nga Teksasi doli në mbështetje të rebelëve vendas në luftën e tyre kundër sovjetikëve, por me një histori mes tre personave: Senatorit Çarli Uilson i interpretuar nga Tom Hanks, operativit gojëndyrë të CIA-s, Gust Avrakotos dhe Herringut, personazhit të interpretuar nga Xhulia. "Për mua është një film që ka të bëjë me njerëzit dhe zemrën, me pasionet dhe kimiken që ekziston mes qenieve njerëzore dhe aftësisë për të realizuar qëllimet e tua. Po të shohësh brenda këtyre tre personave sheh tre koncepte të pushtetit dhe mënyrës se si ata e përdorin atë, çfarë marrëdhënie kanë me njëri-tjetrin dhe si e kalojnë jetën", shprehet aktorja. Roli i interpretuar nga Xhulia është ai i një personazhi real madje më të vërtetë se vetë Erin Bronkoviç, në filmin me të njëjtin titull që i dha Xhulias "Oskarin" e parë, 7 vjet më parë. Por kujdes, pasi roli aktual mund t‘i japë asaj të dytin. Ashtu si luftëtarja, edhe nëna e palodhur Bronkoviç, e cila edhe pse pa mbështetje fiton betejën e saj kundër një kompanie të tërë, Herring është një personazh shumëngjyrësh dhe duket sikur është sajuar nga fantazia e një shkrimtari, por në fakt gjithçka është e vërtetë. Herring përdori paratë dhe lidhjet e saj për të realizuar idealet në të cilat besonte, njëri prej të cilëve ishte mbështetja e muxhahedinëve të Afganistanit në luftën e tyre kundër pushtuesve sovjetikë. Herring nuk është i vetmi personazh nga jugu i Shteteve të Bashkuara i luajtur nga Roberts gjatë karrierës së saj. Një tjetër është edhe ai që interpretoi në vitin 1989 te "Manjolat e çelikut", por roli i fundit është shumë i ndryshëm dhe kompleks. "Ajo e pranon që gjatë ditëve të xhirimit ka kaluar një periudhë të vështirë, ku shpesh është ndjerë edhe nervoze. "Mënyra e sjelljes së Xhoanës ishte pak e vështirë dhe e pakuptueshme për mua, por ajo çka më bëri pasionante pas kësaj gruaje ishte besimi i saj, që ishte edhe forca shtyse kryesore e veprimeve dhe vendimeve të Xhoanës. Ajo ishte e ndershme, bujare dhe besimtare. Ishte një e krishterë e vërtetë dhe ajo çka respektoj më shumë tek ajo është se për asnjë arsye në botë nuk do të hiqte dorë nga gjërat në të cilat besonte thellësisht. Sot është e vështirë të shohësh njerëz të tillë", thotë Roberts. Po cilat janë pasionet e Xhulias? "Gatimi, shkëmbimi i ideve dhe i bisedave gjatë darkës. Nuk mendoj se idetë e mia janë kushedi se çfarë interesante, apo të dobishme, por e di se ato u interesojnë njerëzve që dua, familjes dhe miqve". Po publiciteti? - "Kjo fjalë thuajse ka dalë nga fjalori i Xhulias. Vetë zgjedhja e saj e banimit flet për këtë. Nuk jeton në lagjen e yjeve, por ka blerë një shtëpi në një vend periferik plot me gjelbërim larg syve të botës krejtësisht zhytur në intimitetin e familjes së saj. Dhe familja është dielli rreth të cilit sillet universi i artistes. "Kur bëhesh me fëmijë dhe i sheh sa të gëzuar e të çiltër janë kur janë të vegjël e para gjë që të vjen ndërmend është se si t‘ua zgjasësh sa më shumë këtë gjendje lumturie të përkorë, e cila me rritjen e njeriut sikur tretet. Atëherë nis e kontrollon veprimet, vendimet e tua, bëhesh i përgjegjshëm, pasi çdo hap i gabuar ka pasoja edhe te krijesa të tjera të pafajshme, të cilat ti do t‘i shohësh gjithmonë të lumtura. Të qënurit prind është njëherazi edhe një përvojë e gjatë reflektimi", thotë Roberts, e cila në shtëpinë e saj preferon t‘i bëjë vetë gjërat, duke filluar që nga mbajtja e fëmijëve, e deri te pazari, gatimi e punët e shtëpisë. "Është një sfidë, pasi janë tre fëmijë. Shpesh nuk mund ta besoj që kam tre fëmijë për t‘u kujdesur". Po karriera. Këtu "gruaja e bukur" buzëqesh. "Një Oskar tjetër nuk do të ishte keq, apo mos po kërkoj shumë nga jeta?".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›